Goditje ndaj grupit Ndragheta, mbi 100 të arrestuar

 

Më shumë se 100 persona janë vënë në pranga  nga policia italiane dhe gjermane, në atë që konsiderohet një tjetër goditje e fortë ndaj grupit të krimit të organizuar “Ndrangheta”.

Arrestimet ishin pjesë e një hetimi të koordinuar nga hetuesit në Gjermani, Belgjikë, Francë, Itali, Portugali dhe Spanjë. Të dyshuarit akuzohen për pastrim parash, evazion fiskal , mashtrim, kontrabandë droge, posedim dhe trafikim të armëve.

Karabinierët kryen 108 arrestime në qytete të ndryshme anembanë vendit në një hetim të bazuar në qytetin jugor të Reggio Calabria. 15 persona të tjerë u arrestuan me urdhër të policisë në portin veriperëndimor të Genovas. Arrestimet janë  rezultat i më shumë se tre viteve të një hetimi të quajtur “Operacioni Eureka”.

Hetuesit italianë dhe belgë besojnë se grupi  kriminal kontrabandoi afro 25 ton kokainë midis tetorit 2019 dhe janarit 2022 dhe transportoi  më shumë se 22 milionë euro nga Kalabria në Belgjikë, Holandë dhe Amerikën e Jugut.

‘Ndrangheta’ i ka rrënjët në rajonin jugor të Kalabrisë dhe ka tejkaluar Cosa Nostra për t’u bërë grupi mafioz më i fuqishëm në vend dhe një nga rrjetet më të mëdha kriminale në botë.