Gjermani/ Sulm me thikë në Bielefeld, plagosen 5 persona para një bari, sulmuesi në arrati
Një sulm me thikë ka tronditur qytetin Bielefeld në Gjermani, ku pesë persona janë plagosur rëndë para një bari në qendër të qytetit.
Sipas njoftimit të policisë, sulmi ndodhi ndërsa tifozët e klubit lokal Arminia Bielefeld po festonin fitoren e ekipit të tyre, i cili u shpall kampion i divizionit të tretë pas një ndeshjeje të fituar të shtunën. Policia raportoi se tre prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë dhe po trajtohen në spitale të ndryshme.
Hetuesit kanë deklaruar se nuk përjashtojnë mundësinë që numri i të lënduarve të jetë më i madh, ndërsa sulmuesi ende nuk është identifikuar dhe ndodhet në arrati. Policia ka gjetur disa thika në vendin e ngjarjes dhe beson se autori mund të jetë plagosur në fytyrë gjatë përleshjes me tifozët para se të largohej.
Për të ndihmuar hetimet, autoritetet kanë aktivizuar një linjë telefonike për dëshmitarë dhe kanë kërkuar nga qytetarët që të ngarkojnë video dhe foto të sulmit. Policia ka paralajmëruar publikun që të mbajë distancë dhe të telefonojë shërbimet e emergjencës nëse vërejnë të dyshuarin, pasi ai konsiderohet ende i armatosur dhe i rrezikshëm.