Gjermani, dënohen me burg pesë personat për grabitjen spektakolare në 2019 në një muze në Dresden
Një gjykatë në Dresden ka dënuar pesë anëtarë të së njëjtës famije me disa vite burg për grabitjen e bizhuterive, ngjarje e ndodhur disa vite më parë në një muze të qytetit. Ata janë shpallur fajtor për akuzat vjedhje me armë, dëmtim të pronës dhe zjarrvënie me dashje.
Prokurorët thanë se 5 anëtarët e bandës vodhën bizhuteri diamanti e ari me vlerë 113 milionë euro në muzeun e ngritur në pallatin e dikurshëm mbretëror të Dresdenit. Ky thesar konsiderohej si më i madhi në Europë.Vjedhja spektakolare bëri bujë në Gjermani për vetë arsyen se ndërtesa konsiderohej ndër më të sigurtat në vend.
Grabitja u krye në orët e para të mëngjesit të 25 nëntorit të vitit 2019 nga dy persona me maska hynë në muze. Sistemi i alarmit kishte dalë jashtë funksionit për shkak të një zjarri që kishte rënë në ndërtesë e vënë qëllimisht nga autorët. Para se të arratiseshin, grabitësit u kujdesën të zhduknin gjurmët.
Policia tha në atë kohë se grabitësit ikën nga vendi i ngjarjes me Audi dhe se, vetëm 13 minuta pasi kamera kapi pamjet e para të tyre duke hyrë në kasafortë, makina e bandës ishte braktisur dhe djegur në një garazh nëntokësor rreth 3 km larg. Dy rojet e sigurisë së kasafortës e panë grabitjen në monitorët e sigurisë, por nuk ndërhynë duke ndjekur protokollet e sigurisë.
Sendet me vlerë që ruheshin në këtë muze u përkasin familjeve mbretërore saksone që nga shekulli i 14.Policia gjermane thotë se shumica e bizhuterive u gjetën.