Qindra protestues u mblodhën të shtunën në mbrëmje jashtë parlamentit të Gjeorgjisë. Ata u bënë thirrje ligjvënësve që të tërheqin të ashtuquajturin “ligj rus” pasi Presidentja Salome Zourabichvili i vuri veton projektligjit.
Nëse hyn në fuqi, mediave dhe organizatave jo qeveritare që marrin më shumë se 20% të financimit të tyre nga jashtë, do t’u kërkohej që të regjistrohen si agjentë të huaj. Qeveria thotë se organizatat që marrin fonde nga jashtë u shërbejnë interesave të një fuqie të huaj.
Presidentja tha të shtunën se ligji bie ndesh me Kushtetutën dhe “të gjitha standardet evropiane” dhe shtoi se “duhet të shfuqizohet”. Partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, ka një shumicë të mjaftueshme për të rrëzuar veton e Presidentes Zourabichvili dhe pritet gjerësisht që ta bëjë këtë lëvizje gjatë ditëve të ardhshme.
Qeveria gjeorgjiane këmbëngul se ligji është në mbështetje të transparencës dhe synon të frenojë atë që e quan ndikim të huaj dhe të dëmshëm në vendin prej 3.7 milionë banorësh.Shumë gazetarë dhe aktivistë gjeorgjianë e kundërshtojnë ashpër këtë cilësim, duke thënë se aktualisht ata janë subjekt i kërkesave për kontroll dhe monitorim.
Dhjetorin e kaluar Bashkimi Evropian i ofroi Gjeorgjisë statusin e vendit kandidatit.Zyrtarët e BE-së dhe udhëheqësit perëndimorë kanë shprehur vazhdimisht shqetësimet e tyre lidhur me projektligjin, si dhe dhunën e ushtruar nga policia ndaj protestuesve./VOA