Gazetarja italiane Cecilia Sala, e burgosur në Iran, mbërrin në Romë! Mirëpritet nga kryeministrja Meloni

Pas tre javësh në burgjet iraniane për “shkelje të ligjit islamik”, gazetarja italiane Cecilia Sala ka mbërritur në Romë. Në orën 4:13 të së mërkurës pasdite, avioni Falcon që transportonte gazetaren nga Teherani u ul në aeroportin Ciampino të kryeqytetit italian.

Sala u prit me emocione të mëdha nga kryeministrja Giorgia Meloni, ministri i Jashtëm Antonio Tajani dhe familja e saj. “Sot është sikur kam lindur për herë të dytë, lumturia ime është e papërshkrueshme,” tha nëna e gazetares 29-vjeçare, duke shprehur gëzimin për rikthimin e saj.

Në të njëjtën kohë, sipas burimeve të transmetuara nga televizioni italian Rai, thuhet se iraniani Mohammad Abedini mund të lirohet së shpejti. Abedini, i cili u arrestua më 16 dhjetor në Milano, është akuzuar për trafikun e armëve sipas një urdhri-arresti të lëshuar nga autoritetet amerikane.

Analistët kanë spekuluar se arrestimi i Salah në Iran mund të ketë qenë një hakmarrje për “çështjen Abedini”, duke theksuar lidhjen mes ngjarjeve.