G7 miraton një marrëveshje afatgjatë të sigurisë për Ukrainën

Udhëheqësit e NATO-s gjatë samitit në Vilnius ranë dakord në një deklaratë të përbashkët për t’i ofruar Ukrainës një ftesë për t’u bashkuar me aleancën ushtarake. Ajo që mbetet e paqartë se kur dhe si do të bëhet anëtarësimi.

Por nga ana tjetër anëtarët G7 miratuan një marrëveshje afatgjatë të sigurisë për Ukrainën, që përfshin  armatimet, trajnimin e trupave si dhe ndarjet e informacioneve të zbulimit. Një prej anëtarëve të G7 kryeministri britanik Rishi Sunak deklaroi se marrëveshja do t’i dërgojë një sinjal të fortë presidentit rus Putin.

Kjo vjen pasi presidenti i Ukrainës Zelensky kritikoi hezitimin e NATO-s për t’i ofruar Kievit një afat kohor për t’u bashkuar me aleancën. Sunak tha se aleatët e Kievit po kërkojnë një plan afatgjatë për të mbrojtur Ukrainën.

“Ne nuk mund të shohim kurrë një përsëritje të asaj që ka ndodhur në Ukrainë dhe kjo deklaratë rikonfirmon angazhimin tonë për të siguruar që ajo të mos jetë kurrë e cenueshme ndaj brutalitetit që Rusia ka shkaktuar përsëri ndaj saj,” u shpreh Sunak.

Kryeministri britanik u shpreh se gjithashtu se Mbretëria e Bashkuar kishte luajtur një rol udhëheqës në marrëveshje. Presidenti i SHBA Joe Biden sugjeroi më herët një model për Ukrainën të ngjashëm me marrëveshjen e vendit të tij me Izraelin. Sipas kësaj marrëveshjeje, Uashingtoni është zotuar të ofrojë 3.8 miliardë dollarë ndihmë ushtarake në vit gjatë një dekade.

Njoftimi i G7 vjen pasi NATO tha se Ukraina mund t’i bashkohet aleancës ushtarake “kur aleatët të bien dakord dhe të plotësohen kushtet” – një vonesë që Zelensky e ka quajtur “absurde”.