Forcat izraelite sulmojnë kampin e refugjatëve Jenin, tetë të vdekur

Ushtria izraelite ka kryer nje bastisje gjatë natës në kampin e refugjatëve Jenin në Bregun Perëndimor, duke kryer sulme të vazhdueshme .

Pamjet tregojnë ushtrinë e cila futet në kamp ndërsa ndërtesat pranë  goditen nga raketat.  Tetë palestinezë mbetën të vrarë ndërsa 27 u plagosën ku tetë prej tyre janë në gjendje të rëndë. Banorët thanë se Izraeli kreu të paktën 10 sulme ajrore në Jenin.

Një kolonë me dhjetëra automjete të blinduara izraelite rrethoi gjithashtu kampin e refugjatëve nga të gjitha anët dhe nisi një operacion ushtarak tokësor, duke shkaktuar dëme të mëdha në shtëpi dhe rrugë. Ushtria izraelite deklaroi se goditi një qendër të operacioneve të përbashkëta, e cila shërbente si një qendër komandimi për luftëtarët nga Brigadat Jenin, një njësi e armatosur e përbërë nga luftëtarë të grupeve të ndryshme militante.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit në  një deklaratë u shprehën se sulmet kishin si qëllim goditjen e terroristëve në kampin e Jeninit. “Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq ndërsa terroristët vazhdojnë të dëmtojnë civilët duke përdorur kampin Jenin si strehë,” thanë ata, duke shtuar se kampi ishte një “fortesë terroriste”.  Ministria e Jashtme e Autoritetit Palestinez deklaroi se dënon në termat më të ashpër agresionin barbar të okupimit kundër popullit tonë në Jenin dhe kampit të tij dhe mban përgjegjës qeverinë izraelite.

Ushtria izraelite vendosi të rrethonte kampin , duke mbyllur të gjitha hyrjet.  Rreth 150 automjete të blinduara dhe rreth 1,000 ushtarë nga forcat elitare speciale dhe ushtria, si dhe inteligjenca e përgjithshme, policia dhe policia kufitare janë vendosur në zonë.

Shtëllunga tymi të zi u panë edhe mëngjesin e kësaj të hëne. Tingujt e armëve dhe eksplozivëve u dëgjuan sërish në të gjithë qytetin disa orë pas bastisjes në kampin Jenin.

Sulmet erdhën mes përshkallëzimit të dhunës në Bregun Perëndimor. Muajin e kaluar shtatë u vranë dhe më shumë se 100 u plagosën në një bastisje që përfshinte helikopterë mbi Jenin më 19 qershor. Trazirat e fundit kanë shkaktuar shqetësim në komunitetin ndërkombëtar global në të cilin shumë shtete kanë dënuar përdorimin e armatimeve të rënda nga Izraeli, duke përfshirë dronët dhe helikopterët, në Bregun Perëndimor. Në total përshkallëzimi i dhunës ka lënë dhjetëra të vdekur që nga fillimi i vitit ku 185 palestinezë, 25 izraelitë, një ukrainas dhe një italian janë vrarë gjatë sulmeve.