Fenomeni i martesave në fëmijëri, UNICEF: 640 milionë raste në botë

UNICEF vlerëson se 640 milionë vajza në mbarë botën janë martuar në moshë të re ose 12 milionë vajza në vit. Përqindja e vajzave të reja të martuara në fëmijëri është ulur nga 21 në 19 përqind që nga vlerësimet e fundit të publikuara pesë vjet më parë. Megjithatë, pavarësisht këtij progresi, reduktimi global do të duhet të jetë 20 herë më i shpejtë për t’i dhënë fund martesës së fëmijëve deri në 2030.

Sipas analizës së re të UNICEF -it, pavarësisht rënies së vazhdueshme të martesave të fëmijëve në fillim të dekadës së kaluar, krizat e shumta, duke përfshirë konfliktin, goditjet klimatike dhe pasojat e Covid-19, kërcënojnë të zhbëjnë përfitimet e fituara me vështirësi.

Afrika Sub-Sahariane, e cila aktualisht ka shkallën e dytë më të lartë në botë të martesave të hershme (20%), është mbi 200 vjet larg përfundimit të praktikës me normën aktuale. Rritja e shpejtë e popullsisë, e shoqëruar me krizat e vazhdueshme, duket se do të rrisë numrin e vajzave të reja të martuara në fëmijëri, në kontrast me rëniet e pritshme në pjesën tjetër të botës.

Amerika Latine dhe Karaibet po ashtu mbeten prapa dhe sigurisht që do të kenë nivelin e dytë më të lartë rajonal të martesës së fëmijëve deri në vitin 2030. Pas periudhave të progresit të qëndrueshëm, gjithashtu në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, rënia ka ndaluar.

Azia Jugore, nga ana tjetër, vazhdon të udhëheqë reduktimet në nivel global dhe është në rrugën e duhur për të eliminuar praktikën e martesës së vajzave të reja në rreth 55 vjet.  Megjithatë, rajoni vazhdon të jetë ‘shtëpia’ e gati gjysmës (45%) të vajzave të reja në botë që janë martuar gjatë fëmijërisë së tyre.

Edhe pse India ka bërë përparim të konsiderueshëm në dekadat e fundit, ende përbën një të tretën e totalit global.

“Bota është përfshirë nga krizë pas krize që po shkatërron shpresat dhe ëndrrat e fëmijëve, veçanërisht vajzave që duhet të jenë studente, jo nuse”, tha Drejtoresha Ekzekutive e UNICEF, Catherine Russell. “Krizat ekonomike dhe shëndetësore, intensifikimi i konflikteve të armatosura dhe efektet shkatërruese të ndryshimeve klimatike po i detyrojnë familjet të kërkojnë një ndjenjë të rreme strehimi në martesat e hershmeNe duhet të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të garantuar të drejtën e tyre për arsimim dhe jetë të pavarur“.