FAO: Ekziston një hendek i madh midis grave dhe burrave në sektorin e bujqësisë
Mbi një e treta e grave në botë që punojnë, janë të punësuara në sistemet agroushqimore, si prodhimi i produkteve bujqësore ushqimore dhe joushqimore, si dhe aktivitetet e ndërlidhura nga ruajtja, transporti dhe përpunimi i ushqimit deri tek shpërndarja.
Por në një raport të ri, Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (Food and Agriculture Organization, FAO), thotë se pabarazitë gjinore, të tilla si aksesi më i vogël i grave në njohuri dhe burime, dhe një barrë më e lartë e kujdesit të papaguar, përbëjnë një hendek prej 24% në produktivitetin midis grave dhe burrave fermerë, në ferma me madhësi të barabartë.
Gratë e punësuara në sektorin e bujqësisë, paguhen gjithashtu gati 20% më pak se homologët e tyre meshkuj. Sipas FAO, mbyllja e hendekut gjinor në produktivitetin e fermave dhe hendekut të pagave në punësimin në bujqësi, do të “rriste produktin e brendshëm bruto global me gati 1 trilion dollarë dhe do të zvogëlonte numrin e njerëzve, të cilët gjenden në pasiguri ushqimore, me 45 milionë”, në një kohë të rritjes së urisë globale.
Pabarazitë strukturore
Raporti tregon se aksesi i grave për tokën bujqësore, shërbime, kredi dhe teknologji dixhitale, mbetet prapa atij të burrave, ndërsa një barrë më e lartë e kujdesit të papaguar, kufizon mundësitë e tyre për arsimim, trajnim dhe punësim. FAO thekson se, normat sociale diskriminuese, përforcojnë barrierat gjinore ndaj njohurive, burimeve dhe rrjeteve sociale – duke i penguar gratë të japin një kontribut të barabartë në sektorin agroushqimor.
Raporti vë në dukje gjithashtu se në sistemet agroushqimore, “rolet e grave priren të jenë të margjinalizuara dhe kushtet e tyre të punës, ka të ngjarë të jenë më të këqija se ato të burrave – të parregullta, informale, me kohë të pjesshme, me aftësi të ulëta ose me punë intensive”.
Potenciali i pashfrytëzuar
Autorët e raportit tregojnë gjithashtu se projektet bujqësore, që fuqizojnë veçanërisht gratë, kanë përfitime të gjera ekonomike dhe sociale. Sipas FAO, “nëse gjysma e prodhuesve në shkallë të vogël do të përfitonin nga ndërhyrjet zhvillimore, që fokusohen në fuqizimin e grave, kjo do të rriste ndjeshëm të ardhurat e 58 milionë njerëzve të tjerë dhe do të rriste rezistencën e 235 milionë të tjerëve”.
Shkalla e punësimit të grave në sistemet agroushqimore në disa vende në zhvillim, tregon për ndikimin e mundshëm, që mund të kenë ndërhyrjet për nxitjen e barazisë. Për shembull, në Azinë jugore, 71% e të gjitha grave që punojnë, janë të punësuara në këtë sektor (kundrejt 47% të burrave).