Eva Kaili vendoset në arrest shtëpiak në Bruksel

 

Faleminderit shumë, vajza ime po më pret. Lufta vazhdon me vendosmëri me avokatët e mi”. Kështu u shpreh Eva Kaili pasi doli nga paraburgimi dhe iu drejtua shtëpisësë saj në Bruksel.

Eurodeputetja greke do të qëndrojë në arrest shtëpie ku do të monitorohet me anën e byzylykut. Eva Kaili u largua nga burgu i Harenit, ku ndodhej prej katër muajsh, e shoqëruar nga dy makina. Ajo mbërriti në shtëpinë e saj e shoqëruar nga babai i saj dhe avokati i saj Michalis Dimitrakopoulos.

Avokati i saj kishte bërë një përpjekje të madhe që klientja e tij  të lirohej para Pashkëve Ortodokse, duke u shpjeguar gjykatësve belgë se “ditët e Pashkëve janë shumë të shenjta për grekët”. Më herët Kaili ishte shprehur se kishte zhvilluar një betejë të madhe për të parë vajzën e saj gjatë kohës që ishte në paraburgim ndërsa theksoi se do të luftonte për pafajësinë e saj.

Eurodeputetja u arrestua si pjesë e hetimit të Katargate, ku pranoi para hetuesve se kishte udhëzuar të atin që të fshihte valixhet me para. Menjëherë pas arrestimit, autoriteti grek ngriu të gjitha pasuritë që i përkisnin asaj dhe familjes.

Sipas tyre, llogaritë mbaheshin në një bankë në Panama dhe i përkisnin Kailit, babait të saj Alexandros Kailis dhe nënës së saj. Ata pretendojnë se llogaritë përmbajnë 20 milionë euro të mbledhura përmes dy depozitave nga Katari në Kaili. Avokati i eurodeputetes edhe më herët ka deklaruar se dokumentet janë false dhe se ai u ka kërkuar  autoriteteve greke të kërkonin ndihmë nga Panamaja për të vërtetuar falsifikimin e dokumenteve për Eva Kailin si dhe të kontrollonin nëse ka ndonjë llogari nën emrin e saj ose anëtarëve të familjes.

Në fillim të këtij viti autoritetet greke sekuestruan një sipërfaqe toke në ishullin Paros të blerë nga Kaili dhe partneri i saj, Francesco Giorgi, si dhe llogarinë e përdorur për blerjen e saj. Avokati i Eva Kilit pretendon se  blerja e pronës ishte e ligjshme dhe paratë e përdorura erdhën nga të ardhurat e vetë Kailit. Pjesë e hetimit Katargate janë gjithashtu edhe eurodeputetë të tjerë.