Europa konkurencë Kinës për prodhimin e baterive

Është përuruar në Francë  fabrika e parë e prodhimit të baterive për makinat elektrike, një sektor tradicionalisht i dominuar nga Kina.Projekti i Automotive Cells Company, një sipërmarrje e përbashkët mes Stellantis , Mercedes dhe TotalEnergies , synon një investim total prej 2 miliardë eurosh, gjysma e të cilave do të financohen nga shteti francez dhe autoritetet lokale.

I pranishëm në përurimin e fabrikës ishte ministri francez i ekonomisë Brune le Mair i cili theksoi se  kompanitë evropiane  po planifikojnë të ndërtojnë fabrika të tjera në veri të vendit.

BRUNE LE MAIR-MINISTËR I EKONOMISË:Është një ditë e mrekullueshme për industritë në Francë por edhe ato në Evropë. Këtu në veri, në rajonin Hauts-de- France , do të ketë  katër fabrika  të prodhimit të baterive elektrike, dhe kjo  do të thotë 10,000 vende  të reja pune.Nuk mund ta fsheh që jam i prekur dhe i impresionuar që jam pjesë e këtij inaugurimi.

Evropa varet kryesisht nga bateritë e prodhuara në Azi për makinat  elektrike.Aktualisht , disa qeveri evopiane po ofrojnë stimuj të ndryshëm për të nxitur  industrinë në mënyrë që të shkëputen nga varësia e Kinës. Kina është lider botëror në prodhimin e baterive të makinave elektrike dhe gjithashtu dominon prodhimin e lëndëve të para të nevojshme për t’i prodhuar ato.

Vetë presidenti francez Emmanuel Macron ka lobuar personalisht për të siguruar të paktën një fabrikë të tillë në rajonin e Dunkirk. Evropa  është në garë me kohën për të rritur prodhimin e baterive dhe automjeteve elektrike, pasi Bashkimi Evropian ka vendosur një afat kohor deri në 2035 për të  ndaluar shitjen e makinave të reja me benzinë dhe naftë.