Erdogan: Zgjedhjet do të mbahen në 14 maj pavarësisht tërmeteve

Turqia do të shkojë në zgjedhje më 14 Maj. Këtë datë përcaktoi Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan për mbajtjen në të njëjtën ditë të zgjedhjeve të dyfishta, të atyre presidenciale dhe parlamentare.

Dashtë Zoti, zgjedhjet do t’i organizojmë më 14 Maj dhe gjërat të mos shkojnë siç thotë opozita që flet në ajër”, tha Erdoan.

Është kriza që krijuan lëkundjet e fuqishme të tërmeteve shkatërrimtarë që nisën më 6 Shkurt dhe që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite në juglindje të Turqisë, që ka shtuar zërat që kërkojnë shtyrjen në Qershor të datës së zgjedhjeve të përgjithshme.

Erdogan është kundër Qershorit pasi thotë së në atë muaj, qytetarët nisin largimin nga qytetet ku banojnë për të shkuar me pushime. Ndërsa për opozitën, organizimi i zgjedhjeve në Maj, vetëm tre muaj pas tërmeteve është një sfidë jashtëzakonisht e vështirë.

13 milionë qytetarë janë prekur nga tërmetet në 11 rajone, shumica e të cilëve nuk dinë se ku do të votojnë pasi janë zhvendosur në banesa të përkohshme në qytete të ndryshme prej shkatërrimit të shtëpive, ndërsa mbi 45 mijë banorë humbën jetën. Këto fakte sipas opozitës mund të shkaktojnë kaos me listat e zgjedhësve.