Erdogan reagon pas arrestimit të Imamoglu: Opozitë hipokrite, nuk humbasim kohë me ju o

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka reaguar për herë të parë pas arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, duke e quajtur opozitën “hipokrite” dhe duke theksuar se nuk do të humbasë kohë me të.

Sipas Erdogan, përpjekjet e opozitës për të paraqitur konfliktet e saj të brendshme apo problemet ligjore si çështjet më të rëndësishme të vendit janë “kulmi i hipokrizisë”.

Ai i bëri këto deklarata pas arrestimit të Imamoglu-së të mërkurën, me akuza për korrupsion dhe ndihmë ndaj terrorizmit. Ky veprim shkaktoi protesta të shumta në mbarë Turqinë, por Erdogan nuk duket i shqetësuar.

“Nuk kemi kohë për shfaqje opozitare, as në nivel personal, as në nivel partiak apo aleance,” tha ai.

Presidenti turk shtoi gjithashtu se as media dhe as opozita nuk janë në gjendje t’i përgjigjen akuzave ligjore, duke përmendur si shembull çështjen e diplomës së Imamoglu-së, e cila u anulua nga Universiteti i Stambollit një ditë para arrestimit të tij, pasi u konsiderua e falsifikuar.