Ekzekutimet arrijnë nivelin më të lartë në pesë vjet
Ekzekutimet e regjistruara në vitin 2022 arritën shifrën më të lartë në pesë vjet. Vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut mbajnë rekordin sipas Amnesty International.
Një total prej 883 personash janë ekzekutuar në 20 vende, duke shënuar një rritje prej 53%.Grupi i të drejtave të njeriut shprehet se vitin e kaluar 90 për qind e 883 ekzekutimeve të konfirmuara në botë, me përjashtim të Kinës, janë kryer nga tri shtete nga 20 që aplikojnë dënimet me vdekje.
“Vendet në rajonin e Lindjes së Mesme dhe të Afrikës Veriore shkelën ligjin ndërkombëtar ndërsa shtuan ekzekutimet në vitin 2022, duke zbuluar një shpërfillje të pashpirt për jetën njerëzore. Numri i individëve të privuar nga jeta u rrit në mënyrë dramatike në të gjithë rajonin; Arabia Saudite ekzekutoi 81 persona në një ditë të vetme. Së fundmi, në një përpjekje të dëshpëruar për t’i dhënë fund kryengritjes popullore, Irani ekzekutoi njerëz thjesht për ushtrimin e të drejtës së tyre për të protestuar, “tha Agnès Callamard, Sekretarja e Përgjithshme e Amnesty International.
Sikurse edhe në vitet e kaluara, Amnesty International nuk ka përfshirë shifrat e ekzekutimeve të kryera në Kinë sepse shkalla e përdorimit të dënimit me vdekje në Kinë është e paqartë pasi të dhënat për këtë çështje konsiderohen sekret shtetëror. Megjithatë, në raportin vjetor u tha se ekzekutimet në Kinë besohet se janë me mijëra.
Grupet e të drejtave të njeriut kanë akuzuar Teheranin se përdor ekzekutimet për të ndjellë frikë në mesin e publikut, me qëllim që të ndalojë protestat që kanë nisur që nga 16 shtatori i 2022, kur vdiq Mahsa Amini në paraburgim nën akuzat se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit.
Në këtë sfond të zymtë, pati një fije shprese pasi gjashtë vende hoqën dënimin me vdekje ose plotësisht ose pjesërisht. Kazakistani, Papua Guinea e Re, Sierra Leone dhe Republika e Afrikës Qendrore hoqën dënimin me vdekje për të gjitha krimet, ndërsa Guinea Ekuatoriale dhe Zambia hoqën dënimin me vdekje vetëm për krimet e zakonshme. Që nga dhjetori 2022, 112 vende e kishin hequr dënimin me vdekje për të gjitha krimet dhe nëntë vende e kishin hequr dënimin me vdekje vetëm për krimet e zakonshme.