Ekskursioni përfundoi në tragjedi/ Aksidentohet autobusi me studentë dhe pedagogë, 10 të vdekur dhe 11 të plagosur

Një udhëtim studimor me studentë dhe staf akademik u kthye në tragjedi të shtunën në Kolumbi, pasi autobusi që i transportonte ata u përfshi në një aksident të rëndë rrugor, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 10 personave dhe plagosjen e 11 të tjerëve.

Sipas autoriteteve, shoferi humbi kontrollin e automjetit ndërsa po udhëtonte nga Tolima drejt Quindio. Në autobusin fatkeq ndodheshin gjithsej 26 persona, përfshirë studentë, pedagogë dhe një oficer komunikimi.

Universiteti “Humboldt”, i cili organizoi ekskursionin, ka shpallur dy ditë zie për të nderuar viktimat. Rektori i këtij institucioni, Diego Fernando Jaramillo Lopez, deklaroi se në bord ishin “22 studentë, dy mësues dhe një oficer komunikimi”.

Aksidenti ka tronditur komunitetin akademik dhe vendin në tërësi, ndërsa hetimet paraprake po përpiqen të përcaktojnë shkaqet e humbjes së kontrollit të mjetit.

Kolumbia përballet prej kohësh me problematika serioze të sigurisë rrugore. Vetëm gjatë vitit 2024, sipas statistikave zyrtare, vendi ka regjistruar një mesatare prej 22 vdekjesh në ditë nga aksidentet rrugore.