E gjithë SHBA përfshihet nga stuhi të fuqishme/ Katër të vdekur

 

Nga veriu në lindje e deri në jug një pjesë e madhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës vijon të jetë në pushtetin e borës dhe stuhive të fuqishme. Mijëra njerëz mbetën pa energji elektrike në SHBA. Në Kaliforni lumenjtë e tejmbushur dolën nga shtrati ndërsa rrëshqitjet e dheut shkaktuan dëme të konsiderueshme,  ndërsa katër persona humbën jetën. Stuhia rrëzoi linjat e energjisë elektrike dhe pemë për shkak të erërave të forta mbi 60 km/h.Qindra shkolla dhe biznese në rajon u mbyllën.

Nju Jorku dhe Nju England rregjistruan deri në tre metra dëborë. Nju Jorku dhe disa qarqe në Nju Xhersi shpallën një gjendje të jashtëzakonshme. Në Derry, Neë Hampshire, një fëmijë u plagos pas rrëzimit të një peme. Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom urdhëroi një gjendje të jashtëzakonshme në 43 qarqe të Kalifornisë.

Gati 30 milionë njerëz janë nën një paralajmërim për shkak të stuhive të cilat sipas meterologëve mund të marrin trajtën e një uragani me erëra deri në 144 km/h. Ndërkaq përgjatë bregut në Orange County të Kalifornisë jugore autoritetet u vendosën në dispozicon për të shpëtuar banorët pasi shtëpitë e tyre u përmbytën.  Në San Clemente, një komunitet buzë plazhit midis Los Anxhelosit dhe San Diegos, ujrat e rrëmbyeshëm shkaktuan dëme të konsiderueshme.

Kalifornia po përjeton stuhi të njëpasnjëshme të cilat nisën që nga fundi i vitit të kaluar që sipas ekspertëve është pjesë e ndryshime të mëdha klimatike. Vetëm në fillim të këtij viti 20 persona humbën jetën për shkak të përmbytjeve shkatrrimtare.