Lionel Messi dështon sërish për të ngritur lart trofeun e Kupës së Francës. Argjentinasi dhe PSG e tij u eliminuan në mënyrë surprizë nga Marseja në transfertë me shifrat 2-1, me ‘pleshtin’ që i jep kështu lamtumirë turneut të vetëm që nuk e ka fituar në karrierë. Pa të dëmtuarin Kylian Mbappe dhe me ndryshimet e numrave në fanellë të Messi e Neymar, PSG dështoi për të thyer marsejezët. Vendasit kaluan në avantazh minutën e 31-të, kur Sanchez realizoi një penallti të fituar nga Cengiz Under e të shkaktuar nga Ramos.
Megjithatë, spanjolli e kompensoi gabimin e tij teksa goditi me kokë krosimin e Neymar nga këndi dy minuta pas rikthimit në fushën e lojës.
Por baraspesha nuk zgjati shumë, me stadiumin Velodrome që shpërtheu në festë pas golit të Malinovsky. Një gol që vlejti deri në fund, me Marsejën që kalon në 8 ekipet më të mira të kompeticionit dhe i shkakton humbjen e dytë PSG-së që prej vitit 2011 në stadiumin e vet.
Kjo ishte humbja e tretë për kryeqytetasit në këtë vit 2023 dhe eliminimi nga Kupa mund të dhemb jo pak pasi vjen para duelit të 1/16-ave të Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munich.