“Duhet ta djegim” – 13-vjeçarja në Itali viktimë e bullizimit online nga shoqet e klasës

Një vajzë 13-vjeçare në Modena të Italisë është bërë viktimë e bullizimit online nga shoqet e saj të klasës, të cilat e tallnin dhe e ofendonin në mënyrë të vazhdueshme në bisedat e grupit të tyre.

Sipas gazetës Corriere, në mesazhet e shkruara, vajza ishte objekt i fyerjeve dhe urrejtjes së papërshkrueshme. “Duhet ta djegim”, ishte një nga frazat e rënda që i drejtonin asaj, ndërsa mesazhe të tjera ngjanin me nxitje për vetëvrasje.

Nëna e vajzës ka treguar se e bija nuk ishte pranuar nga bashkëmoshatarët e saj, ndoshta për shkak të identitetit të saj gjinor dhe preferencave të ndryshme. Shoqet e klasës e shënjestronin për stilin dhe shijet e saj, duke e bërë të ndihej e mposhtur dhe e vetmuar. Vajza, e cila kishte pasione artistike dhe interesa më të thella se të tjerët, përballej çdo ditë me fyerje dhe mesazhe urrejtjeje.

Familja e vajzës vendosi të denoncojë rastin në polici, e cila ndërhyri menjëherë. Oficerët shkuan në shkollë dhe biseduan me nxënësit, duke u shpjeguar rrezikun e bullizimit dhe ndikimin e tij tek viktimat dhe tek ata që e kryejnë.

Pasi hetuan rastin, Policia Postale vendosi të zhvillojë një bisedë të drejtpërdrejtë me nxënësit për t’u treguar atyre pasojat e bullizimit. Ndërkohë, prindërit e vajzës kanë marrë mbështetje nga familjarët dhe mësuesit për ta ndihmuar atë të kapërcejë këtë përvojë të vështirë.