Droga në Evropë, zbulohet nëndetësja me kokainë
Tre burra mbijetuan për 27 ditë dhe netë, ndërsa udhëtuan përtej Oqeanit Atlantik me një nëndetëse të realizuar nga vetë ata. Brenda saj kishte rreth 3 ton kokainë origjina e së cilës ishte nga Amerika e Jugut dhe kishte si destinacion Evropën. Një reportazh i realizuar nga reporteri Nick Beake tregon se nëndetësja 20 metra e gjatë ishte e krijuar nga vetë trafikantët me fibër karboni. Atij iu dha mundësia nga polica spanjolle që të hypte në këtë nëndetëse.
Grupi, i cili përfshinte një ish-boksier spanjoll dhe dy kushurinj ekuadorianë fillimisht udhëtuan poshtë lumit Amazon. Ata nuk kishin asgjë tjetër përveç tre tonëve kokainë, me vlerë më shumë se 150 milionë dollarë. Megjithatë misioni i tyre fitimprurës dhe i fshehtë i kryer me kujdes, nuk shkoi ashtu siç duhet. Autoritetet e zbatimit të ligjit, duke përfshirë Agjencinë Kombëtare të Krimit në Mbretërinë e Bashkuar e kishin gjurmuar nëndetësen që nga viti 2019 dhe vetëm këtë vit arrestuan të tre pjesëtarët e ekuipazhit në brigjet e Galicia në Spanjë.
ANTONIO MARTINEZ DUARTE, KRYEKOMISIONERI I BRIGADËS SË NARCO NË SPANJË: Ky është një operacion shumë i rëndësishëm. Është hera e parë në Evropë që ne kemi gjetur më shumë se një ton e gjysmë kokaine.Për më shumë se 20 vjet trafikantët kanë përdorur nëndetëset për të arritur në Afrikë dhe Evropë, por deri më tani kemi kapur vetëm dy prej tyre. Ky operacion konfirmon gjithashtu lidhjet midis kriminelëve kolumbianë dhe meksikanë që janë bashkuar me bandat spanjolle që punojnë në Spanjë.
Në fakt, besohet se qindra nëndetëse të bëra nga vetë trafikantët lundrojnë në ujërat drejt Evropës, e cila është tregu më i madh i kokainës pas SHBA-së dhe po zgjerohet me shpejtësi. Prodhimi i kokainës u rrit me një të tretën midis 2020 dhe 2021, sipas agjencisë së drogës të OKB-së. Ky ishte një rekord i lartë dhe rritja më e madhe nga viti në vit që nga viti 2016.Porti Antwerpen në Belgjikë është vendi ku të gjitha bandat kriminale transportojnë sasi të mëdha të drogës. Ata gjetën një rekord prej 110 tonësh kokainë në vitin 2022. Sipas disa vlerësimeve, vetëm 10% e kokainës që hyn në port ndalohet, ndërsa 90% e mbetur shpërndahet në Holandë dhe në pjesën tjetër të Evropës, përfshirë Britaninë e Madhe.