Dora përkëdhel ‘bombën bërthamore’, televizioni iranian publikon pamjet dhe dërgon mesazhin: Ndoshta…

Televizioni shtetëror iranian ka shpërndarë një video provokuese në rrjetet sociale, ku shihet një dorë që përkëdhel një pajisje që ngjan me një bombë bërthamore. Videoja shoqërohet me mbishkrimin e vetëm “ndoshta”, duke lënë të kuptohet një paralajmërim mes tensioneve të rritura në Lindjen e Mesme.

Publikimi vjen në një moment kur Izraeli ka intensifikuar sulmet ndaj objektivave iraniane, duke goditur struktura ushtarake, bërthamore dhe të inteligjencës, si dhe duke vrarë disa nga shkencëtarët kryesorë të programit bërthamor të Teheranit.

Nga ana e tij, Irani ka reaguar me sulme me dronë dhe raketa, por vazhdon të mohojë se synon krijimin e një arme bërthamore, duke deklaruar se programi i tij është për qëllime paqësore dhe prodhim energjie.

Në këtë përplasje, presidenti amerikan Donald Trump ka dhënë një mesazh të ashpër për udhëheqësit iranianë. Përmes një postimi në Truth Social, ai ka kërkuar “dorëzim pa kushte” nga Teherani dhe ka theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë që Irani të bëhet fuqi bërthamore.

Ndërkohë, SHBA kanë shtuar praninë ushtarake në rajon, në përpjekje për të forcuar bashkëpunimin me aleatët dhe për të frenuar ambiciet e Iranit.