Donald Trump nxjerr në treg parfumin luksoz, ja sa është çmimi
Presidenti Donald Trump ka zgjeruar linjën e tij të produkteve me një parfum të ri luksoz, të quajtur “Victory 45-47”, i cili është lançuar këtë javë dhe tashmë është në shitje me çmimin prej 249 dollarësh.
Parfumi është promovuar si një aromë unike, që përfaqëson “fitoren, forcën dhe suksesin”, dhe është i përshtatshëm për të dyja gjinitë – burra dhe gra. Produkti vjen i paketuar në një shishe të shoqëruar me një statujë të artë “ikonike”, që përshkruan vetë presidentin Trump. Në postimin e tij në rrjetin social Truth Social, Trump e prezantoi parfumin me një mesazh të drejtpërdrejtë për ndjekësit:
“Blej një shishe për vete dhe mos harro të blesh një edhe për të dashurit e tu. Shijoje, argëtohu dhe vazhdo të fitosh!”
Parfumi është përshkruar si “shprehje e besimit, bukurisë dhe vendosmërisë së pandalshme”, duke u pozicionuar si një artikull luksoz dhe simbolik në vijim të përpjekjeve të Trump për të zgjeruar markën e tij.
Megjithatë, lançimi i këtij produkti nuk ka kaluar pa kritika. Reagime të forta kanë shpërthyer në rrjetet sociale, sidomos pas kalimit në Senat të projektligjit “One Big Beautiful”, i cili parashikon shkurtimin e fondeve për programin e ushqyerjes (SNAP) dhe Medicaid, duke rrezikuar mbulimin shëndetësor për miliona amerikanë.
Një qytetare komentoi:
“16 milionë amerikanë janë gati të humbasin kujdesin shëndetësor, por shkoni dhe blini parfumin tim të shëmtuar…”
Një tjetër përdorues u shpreh:
“Është aq e turpshme sa nuk ka fjalë për ta përshkruar.”
Ndërsa një tjetër reagoi:
“Ai e turpëron vendin dhe i bën mbështetësit e tij të duken si budallenj çdo ditë.”
Pavarësisht polemikave, parfumi është pjesë e një zinxhiri produktesh të markës Trump që kanë gjeneruar të ardhura të mëdha. Sipas një raporti të muajit qershor, Trump ka përfituar mbi 2.5 milionë dollarë vetëm gjatë vitit të kaluar nga shitja e produkteve të tij, përfshirë parfumet, atletet dhe artikujt fetarë.
Ky parfum i ri i bashkohet koleksionit të artikujve të Trump, si Bibla “God Bless the USA” që kushton 69.99 dollarë dhe çizmet “Trump Landslide” që shiten për 299 dollarë.