Dokumentet e Pentagonit, i dyshuari mund të ketë ende akes
Prokurorët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që Jack Teixeira i dyshuari për publikimin e dokumenteve të klasifikuara të mos lirohet. Ata argumentojnë se Teixiera mund të ketë ende akses në informacionet sekrete. Në dokumentet gjyqësore, avokatët e Departamentit të Drejtësisë shprehen se lirimi i 21-vjeçarit nga burgu ndërsa ai pret gjykimin do të ishte një kërcënim i madh për sigurinë kombëtare të SHBA-së.
Hetuesit janë ende duke u përpjekur të përcaktojnë nëse ai ka ndonjë kopje të informacioneve të klasifikuara, duke përfshirë dosjet të cilat ende nuk janë bërë publike. “Dëmi që i pandehuri i ka shkaktuar tashmë sigurisë kombëtare të SHBA-së është i madh”, janë shprehur prokurorët.
Duke e përshkruar Teixeira si një rrezik për komunitetin kanë dekalruar se ai përpara se të arrestohej nga FBI postonte në platformën ku u publikuan edhe dokumentet sekrete, shkrime shqetësuese në lidhje me dhunën dhe vrasjet. Gjithashtu mes të tjerash në deklaratën e prokurorëve thuhet se ai ishte pezulluar edhe gjatë shkollës së mesme për deklarata ekstremiste dhe kërcënime racore.
Dokumentet që Teixeira akuzohet për rrjedhje, ofronin një gamë të gjerë informacionesh shumë të klasifikuara mbi aleatët dhe kundërshtarët, me detaje duke përfshirë mbrojtjen ajrore të Ukrainës deri te agjencia e spiunazhit të Izraelit si dhe të dhëna për Kinën dhe SHBA-në. Të paktën 50, por ndoshta më shumë se 100 dokumente sekrete u postuan në platformë dhe më pas u shpërndanë kudo.
Teixeira nuk ka pranuar ende se ka qenë ai që mund të ketë çuar në rrjedhjen e informacioneve secrete. Nëse shpallet fajtor, ai do të përballet me 25 vjet burg.