Kandidatët republikanë së synojnë të fitojnë emërimin e partisë së tyre për zgjedhjet presidenciale po shfaqen përherë e më të hapur ndaj idesë për t’i dhënë fund marrëveshjes së tregtisë mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, në bazë të së cilës, që prej vitit 2000, Pekinit i është dhënë statusi i Marrëdhënieve Normale të Përhershme Tregtare. Marrëveshja, po ashtu, ka lehtësuar tregtinë mes dy ekonomive më të mëdha të botës.
Në kuadër të përpjekje të tij për të fituar terren ndaj ish presidentit Donald Trump në procesin e primareve të Partisë Republikane, Guvernatori i Floridës Ron DeSantis tha thë hëhën se ai do t’i hiqte Kinës këtë status, si pjesë të asaj që ai e cilësoi “Deklaratë për Pavarësi Ekonomike”.
“Kësaj marrëveshjeje abuzive dhe asimetrike mes dy vendeve tona duhet t’i jepet fund”, tha ai para mbështetësve në Nju Hemshër. “Nuk mund të ketë më deficit tregtar. Nuk mund të ketë më importim të të mirave materiale me vjedhje të pronësisë intelektuale.
Nuk mund të ketë më status preferencial tregtie”, tha ai.
Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, ambasada kineze në Uashington kritikon zotin DeSantis dhe kandidatë të tjerë republikanë, se po “njollosnin” marrëveshjen dhe po “zhvendosnin përgjegjësinë” mbi të.
Fillesat e marrëveshjes
Kina u përfshi në bisedime për t’iu bashkuar Organizatës Botërore të Tregtisë në vitin 2000, një lëvizje që shumë besuan se do ta hapte këtë vend ndaj investimeve të huaja dhe do të mundësonte që kompanitë jo kineze të kishin qasje ndaj më shumë se sa 1 miliardë konsumatorëve.
Deri në vitin 2000, marrëveshja për tregti të posaçme mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara i nënshtrohej një rivlerësimi vjetor, një situatë që krijonte pasiguri për kompanitë që synonin të kryenin biznes me Kinën.
Në vitin 2000, presidenti Bill Clinton mori vendimin për t’i dhënë Kinës statusin e Marrëdhënieve Normale të Përhershme Tregtare.
Edhe pse tregtia mes dy vendeve po forcohej me shpejtësi, Shtetet e Bashkuara, ankoheshin në mënyrë të vazhdueshme se Kina kishte dështuar të përmbushte pjesën e saj të marrëveshjes. Shtetet e Bashkuara citonin ndërhyrjen e qeverisë për të mbështetur firmat kineze, manipulimin me valutën dhe taktika të tjera, që kritikët pretendonin se Kina po i përdorte për të përfituar vetë nga marrëveshja.
Shumë prej këtyre praktikave u renditën nga adminstrata e zotit Trump si argumente për vendosjen e tarifave ndaj një sërë mallrash që importoheshin nga Kina, gjatë mandatit të tij.
Qëndrimi i republikanëve
As zoti Trump nuk shkoi aq larg sa t’i hiqte Kinës statusin për marrëdhëniet e tregtisë me Shtetet e Bashkuara. Është një akt që mund të shkaktonte shumë probleme dhe mund të vinte në rrezik shkëmbime tregtare prej miliarda dollarësh, mes dy ekonomive më të mëdha botërore.
Megjithatë, gjatë fushatës së tij për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, zoti Trump ka bërë thirrje për t’i hequr Kinës statusin e Marrëdhënieve Normale të Përhershme Tregtare. Në një video të publikuar më herët gjatë këtij viti, ish presidenti e ka bërë mjaft të qartë qëndrimin e tij.
“Do t’i heqim Kinës statusin si vend i preferuar për të kryer tregti dhe do të zbatojmë një plan 4 vjeçar për të ndërprerë gradualisht importin e mallrave thelbësorë kinezë, nga elektronika deri të prodhimet farmaceutike”, tha zoti Trump.
“Kjo do të përfshijë masa të forta mbrojtëse për t’u siguruar që Kina nuk do të mund t’i anashkalojë kufizimet duke kaluar mallrat përmes vendeve të tjera”, shtoi ai.
Përdorimi i problemit me fentanilin si argument kundër Kinës
Ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley, është shprehur për ndjekjen e një politike më gjithëpërfshirëse në lidhje me Kinën, ndryshe nga shumë prej rivalëve të saj brenda Partisë Republikane. Në një fjalim të mbajtur në qershor ajo paraqiti mundësinë e heqjes të statusit tregtar të Kinës për të siguruar rezultatet e synuara në bisedimet me Pekinin.
Zonja Haley vuri në dukje se firmat kineze furnizojnë grupet meksikane të drogës me substancat kimike që përdoren për prodhimin e drogës fentanyl, një kontribues i madh në krizën e opioideve në SHBA.
“Kina nuk mund të sillet si e pafajshme”, tha ajo në fjalimin e mbajtur në Institutin Amerikan të Ndërmarrjeve në Uashington.
“Kina është e vetëdijshme se këto substanca po bien në duart e karteleve. Ne kemi provuar të bëjmë presion përmes sanksioneve, por ato nuk po funksionojnë”, tha më tej zonja Haley.
“Ne duhet të shtojmë tryzninë. Si presidente, unë do ta nxis Kongresin të shfuqizojë statusin e Marrëdhënieve Normale të Përhershme Tregtare me Kinën deri sa të ndërpritet ardhja e fentanilit. Nëse Kina dëshiron të fillojë përsëri tregtinë normale, ajo duhet të ndalojë vrasjen e amerikanëve”.
Veprimet e Administratës së Presidentit Biden
Ndërsa retorika e administratës së Presidentit Biden në lidhje me Kinën nuk ka qenë aq e mprehtë sa ajo e pretendentëve republikanë për president, Shtëpia e Bardhë ka bërë përpjekje për të mbajtur një marrëdhënie produktive me Pekinin gjatë më shumë se dy viteve të fundit.
Kur mori detyrën në vitin 2021, Presidenti Biden trashëgoi një regjim tarifash për një sërë mallrash që importoheshin nga Kina, që u vendosën gjatë administratës së Presidentit Trump. Administrata e zotit Biden nuk i ka shfuqizuar shumicën e tyre.
Megjithatë, zoti Biden, ka mbikëqyrur zbatimin e kontrolleve të eksportit që synojnë të parandalojnë Kinën të marrë mallra të caktuara, duke përfshirë gjysmë-përçues të avancuar dhe makineritë e nevojshme për t’i ndërtuar ato. Kjo ka çuar në ankesa nga Pekini dhe në akuza se Shtetet e Baskuara po përpiqen të pengojnë perspektivën për rritjen ekonomike të Kinës.
Qëndrimi zyrtar i administratës së zotit Biden është se Kina është një konkurrent ekonomik, jo një armik, një qëndrim që kandidatët republikanë në garë për të fituar emërimin e partisë për zgjedhjet presidenciale, e kanë kritikuar duke e cilësuar si “naiv dhe dritëshkurtër”.
Reagimi kinez
Në përgjigje të një pyetjeje nga Zëri i Amerikës, zëdhënësi i Ambasadës Kineze në Uashington lëshoi një deklaratë duke reaguar ndaj thirrjeve për shfuqizimin e statusit për të Marrëdhënieve Normale të Përhershme Tregtare me Kinën.
“Marrëdhëniet ekonomike Kinë-SHBA janë me dobi reciproke”, thuhet në deklaratë.
“Zgjerimi i tepërt i konceptit të sigurisë kombëtare dhe politizimi i çështjeve ekonomike, tregtare dhe të investimeve bie ndesh me parimet e ekonomisë së tregut dhe rregullat e tregtisë ndërkombëtare. Nxitja për shkëputje me Kinën jo vetëm që dëmton të drejtat dhe interesat legjitime të kompanive kineze, por gjithashtu destabilizon industrinë globale dhe zinxhirët e furnizimit”.
“Pala kineze është fuqimisht kundër tërheqjes së vëmendjes duke njollosur dhe zhvendosur fajin gjatë fushatës zgjedhore”.
“Shpallja e luftës ekonomike”
Shumë ekonomistë u shprehën kundër heqjes së statusit të veçantë për Kinën duke paralajmëruar se një ndryshim i tillë dramatik do të ishte i dëmshëm për interesat e SHBA-së.
Në një debat të mbajtur më 19 korrik të organizuar nga Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Partinë Komuniste Kineze, ekonomistja Mary Lovely argumentoi se një veprim i tillë do të ishte me pasoja të rënda ekonomike, duke çuar në çmime të larta për konsumatorët amerikanë dhe dëmtim të prodhuesve amerikanë.
“Shfuqizimi i marrëdhënieve të përhershme normale tregtare me Republikën Popullore të Kinës nuk është në interesin më të mirë të familjeve amerikane, punëtorëve amerikanë apo bizneseve amerikane”, tha zonja Lovely, bashkëpunëtore e lartë në Institutin Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare.
“Heqja e këtij statusi është një shpallje e luftës ekonomike ndaj Kinës”, tha më tej ajo. “Një shkëputje e papritur dhe destabilizuese e dy ekonomive më të mëdha në botë do të dëmtojë Shtetet e Bashkuara dhe do të dëmtojë përpjekjet e vazhdueshme për të bashkëpunuar me vendet me qendrime të ngjashme për të zvogëluar ekspozimin tonë ndaj Kinës”/VOA