Dënohen për mungesë kujdesi katër bankierë që ndihmuan mikun e Putin

 

Katër bankierë që ndihmuan një shok të ngushtë të presidentit rus, Vladimir Putin, të depozitonte miliona franga përmes llogarive bankare zvicerane, janë dënuar për mungesë kujdesi në transaksionet financiare.

Të katërtit u shpallën fajtorë  për akuzën e ndihmës që i ofruan Sergey Rolduginit, një violonçelist që Qeveria zvicerane e quajti “kuleta e Putinit”, i cili është edhe kumbari i vajzës së madhe të Putinit, Marias. Bankierët  tre rusë dhe një zviceran ndihmuan Rolduginin të depozitonte miliona franga në llogaritë bankare zvicerane gjatë periudhës prej vitit 2014 deri më 2016.

Këta katër burra, të cilët nuk mund të identifikohen shkaku i kufizimeve zvicerane për raportime, u shpallën fajtorë në një seancë në Gjykatën e Cyrihut dhe u dënuan me kusht me nga shtatë muaj secili. Në aktakuzën e parë nga agjencia e lajmeve Reuters theksohej se si njerëz si Roldugini u përdorën për t’i fshehur pronarët e vërtetë të parave.

Prokuroria kishte pretenduar se ata nuk kishin bërë mjaftueshëm kontrolle për të verifikuar identitetin e pronarit të vërtetë të pasurisë, pasi që nuk ishte e besueshme që Roldugini të ketë qenë pronari i vërtetë. Në këtë rast bëhet fjalë për një shumë prej rreth 30 milionë frangash zvicerane, sipas prokurorit publik, Jan Hoffmann.

Muzikanti, i cili figuron në listën zvicerane të rusëve të sanksionuar, nuk ka asnjë aktivitet të listuar si biznesmen. Në atë kohë, muzikanti i kishte thënë mediumit amerikan New York Times se ai nuk ishte biznesmen dhe nuk zotëronte miliona.

Roldugini ishte në mesin e shumë anëtarëve të rrethit të brendshëm të Putinit të sanksionuar nga Perëndimi, përfshirë vende si Zvicra, pasi Rusia filloi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës vitin e kaluar. “Të gjitha provat kundërshtojnë argumentin se Sergey Roldugin është pronari i vërtetë i aseteve”, kishte thënë Hoffmann në një seancë të mëparshme. “Bankierët nuk i kanë ndjekur rregullat dhe prandaj duhet të ndëshkohen”, shtoi ai.

Kremlini ka hedhur poshtë çdo pretendim se asetet e Rolduginit janë të lidhura me liderin rus, duke i quajtur ato “putinofobi” anti-ruse. Sipas Kremlinit, pasuria e Putinit është publike dhe ai e ka deklaruar rregullisht pasurinë dhe pagën e tij te votuesit rusë.