Fitorja e Demokracisë së Re në zgjedhjet parlamentare merr përmasa historike, pasi sipas vlerësimit të parë zyrtar të rezultatit kalon në 41% kundrejt 20% të SYRIZA-s.
Kyriakos Mitsotakis ka mbajtur një deklaratë për mediat pas daljes së rezultateve të para, ku është shprehur se qytetarët treguan se duan një qeverisje të pavarur dhe të fuqishme. Një ‘tërmet politik’ e ka cilësuar Mitsotakis fitoren në këto zgjedhje.
Kyriakos Mitsotakis KRYEMINISTËR I GREQISË: “Ne kemi një detyrim modest të ngrihemi në këmbë, së bashku do të hapim betejën e radhës që fillon nesër, në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme, siç kanë vendosur tashmë qytetarët, të konfirmohet edhe matematikisht një Demokraci e Re autonome.
Për shkak të sistemit proporcional të thjeshtë të djathtët nuk mund të sigurojnë që tani shumicën parlamentare dhe duke qenë se 4 partitë e tjera që hyjnë në parlament, kundërshtojnë mundësinë e një koalicioni, Greqia shkon në zgjedhje përsëri në fund të qershorit. Gjithsesi lideri i Syrizës Aleksis Tsipras që ka përgëzuar rivalin e tij, ka deklaruar se nuk i lëshon armët.
“Cikli zgjedhor nuk ka përfunduar ende pasi ndoshta do të ketë një garë të dytë zgjedhore, kështu që nuk kemi kohë për të humbur. Duhet të bëjmë menjëherë të gjitha ndryshimet e nevojshme për të dhënë më të mirën e mundshme në betejën e ardhshme vendimtare dhe përfundimtare elektorale”– tha Lideri i Syriza, Aleksis Tsipras.
Socialistët renditen në vendin e tretë me 11,6% duke përmirësuar ndjeshëm përqindjen e tyre krahasuar me 4 vjet më parë, por edhe komunistët dhe partia e djathtë Zgjedhja Greke.
Të humbur konsiderohen të majtët e ish ministrit të Financave, Gianis Varufakis që nuk kanë mundur të hyjnë në parlament, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje ishte pak më e lartë se viti 2019, në rreth 60%.