Burri rus dënohet me burg pasi vajza e tij u shpreh kundër luftës

 

Alexei Moskalyov, një burrë rus i cili u dënua me burg për diskreditimin e ushtrisë ruse dhe vajza e të cilit u mor nën kujdes, është arrestuar pasi iku nga arresti shtëpiak.

Moskalyov, i cili u hetua nga policia pasi vajza e tij vizatoi një fotografi kundër luftës në shkollë, u dënua me dy vjet në një koloni penale me akuzën e diskreditimit të forcave të armatosura ruse, tha grupi i të drejtave OVD-Info. Por një zëdhënës i gjykatës u shpreh se Alexei Moskalyov, i kishte shpëtuar arrestit shtëpiak gjatë natës. Vendndodhja e tij nuk dihej në atë moment.

Moskalyov është ndarë nga vajza e tij Masha që kur u vendos në arrest shtëpiak në fillim të këtij muaji dhe ajo u transferua në një shtëpi fëmijësh në qytetin e tyre të lindjes Yefremov, në jug të Moskës. Rasti ka provokuar një protestë në mesin e aktivistëve rusë të të drejtave të njeriut dhe ka ndezur një fushatë në internet për të ribashkuar babanë dhe vajzën.

Moskalyov u dënua për komentet që ai vetë kishte postuar në internet në lidhje me luftën në Ukrainë. Por hetimi filloi pasi Masha, 12 vjeç, vizatoi një foto prillin e kaluar, ku shiheshin raketa ruse mbi një nënë dhe fëmijë ukrainas, duke bërë që kreu i shkollës të thërriste policinë. Policia filloi të shqyrtojë aktivitetin e Moskalyov në mediat sociale dhe ai fillimisht u gjobit me 35,000 rublapër komente kritike ndaj ushtrisë ruse. Në dhjetor, hetuesit hapën një tjetër çështje kundër tij me dyshimin për diskreditim të forcave të armatosura, këtë herë bazuar në një postim në rrjetet sociale në qershor.

Grupi i ndaluar rus i të drejtave të njeriut Memorial tha se e konsideronte Moskalyov si të burgosur politik. Menjëherë pas pushtimit të Ukrainës vitin e kaluar, Rusia miratoi ligje kundër diskreditimit të forcave të armatosura ose përhapjes me vetëdije të informacionit të rremë rreth tyre, me një dënim maksimal prej 15 vitesh burg.