Mjekët e rinj në Britani filluan një grevë katër-ditore mbi pagat që ka të ngjarë të shkaktojë ndërprerje të paprecedentë në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar.
Qeveria ka paralajmëruar se siguria e pacientëve mund të vendoset në rrezik nëse grevat do të vijojnë. Dhjetëra mijëra mjekë të rinj që përbëjnë gati gjysmën e fuqisë punëtore mjekësore po bëjnë grevë për rritje të pagave në përputhje me inflacionin.
Shefi i Konfederatës të Shërbimit Kombëtar Shëndetësor i cili përfaqëson organizata në të gjithë sektorin e kujdesit shëndetësor, tha për Sky News se priste që deri në 350,000 takime të anuloheshin gjatë grevës katër-ditore.
Shoqata Mjekësore Britanike, sindikata që përfaqëson mjekët, kërkon një rritje prej 35%, duke argumentuar se pagat janë më të ultat në 15 vitet e fundit. Grevës i janë bashkuar edhe infermierët, mjekët ndihmës si dhe të tjerë që kërkojnë rritje me një inflacioni që ka kaluar normën e 10%. Ky është raundi i fundit i grevave ku në fillim të marsit mijëra mjekë mbushën rrugët teksa kërkuan paga të larta duke shkaktuar kaos në sistemin shëndetësor. Mjekët e rinj ranë dakord në vitin 2019 për një rritje vjetore të pagave prej 2% si pjesë e një marrëveshjeje katërvjeçare, por ata tanimë shprehen se kjo tani është e pamjaftueshme. Gjatë protestave të kaluara mjëkeve i janë bashkuar qindra mijëra punonjës të tjerë të sektorit publik duke përfshirë stafin e hekurudhave, mësuesit dhe nëpunësit civilë.