Britani/Publikohen emrat e tre shqiptarëve të shpallur në kërkim

Mediat britanike kanë publikuar emrat dhe fotot e tre prej 13 shqiptarëve që u arratisën nga një qendër emigracioni në Yarl’s wood, afër Bedford, më 28 prill.

Bëhet fjalë për Arnold Lleshaj, 27 vjeç, Ervin Morati, 20 vjeç dhe Luftim Hallaci, 20 vjeç.Mediat britanike shtojnë se deri më tani janë arrestuar 10 të tjerë që akuzohen se kanë lidhje me shpërthimin e ndodhur në qendrën e strehimit të emigrantëve, arratisjen dhe ndihmën që u kanë dhënë të tjerëve për tu arratisur. Dy prej tyre janë akuzuar edhe për trafik droge. Tetë prej tyre ishin shqiptarë, shtatë rreth moshës 20 vjeç, ndërsa një, rreth 30 vjeç.

“Kjo ka qenë një përpjekje e koordinuar nga forcat e policisë në shumë qarqe dhe ka rezultuar në arrestimin e 10 personave për një sërë veprash, duke përfshirë dyshimin për arratisje nga qendra ose ndihmën ose strehimin e atyre që janë përfshirë. Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për të identifikuar dhe gjetur personat përgjegjës. Unë do t’u bëj thirrje drejtpërdrejt këtyre tre burrave që të dorëzohen – duhet të dini gjithashtu se kushdo që ju ndihmon në çfarëdo mënyre do të arrestohet dhe do të paraqitet para gjykatave,”- tha hetuesi william Hodgkinson.

Yarl’s wood, në Milton Ernest, është një qendër emigracioni ku personat me status të diskutueshëm emigrimi mund të mbahen pa një afat të caktuar kohor.