Boris Johnson mohon se ka gënyjer ligjvënësit për “Partygate”

Ish-kryeministri britanik, Boris Johnson, ka insistuar “me dorë në zemër” se nuk i ka gënjyer kurrë ligjvënësit për disa festa që janë mbajtur gjatë pandemisë së koronavirusit në ndërtesën e Qeverisë. Një komitet i Parlamentit britanik është duke e marrë në pyetje Johsonin rreth deklaratave të tij kundërthënëse për festat e organizuara, të cilat i kanë thyer rregullat e atëhershme për luftim të pandemisë.

Nëse ky komitet arrin në përfundim që Johnson ka gënjyer me vetëdije, atëherë ai rrezikon pezullim, apo edhe humbje të ulëses në Parlament. Në nisje të seancës, Johnson është betuar me dorë në Bibël dhe ka thënë, “dorën në zemër…. unë nuk kam gënjyer para Parlamentit”. Ai, po ashtu, e ka kritikuar Komitetin, i cili përbëhet nga katër anëtarë konservatorë dhe tre nga partitë opozitare, duke thënë se është duke vepruar si “hulumtues, prokuror, gjykatës dhe juri”.

Seanca tri-orëshe ka qenë një tjetër pikë e nxehtë e karrierës së tij, e cila është përcjellë me disa skandale në vjetët e fundit. Në korrik të vitit 2022, ai është detyruar, nga partia e tij, që të japë dorëheqje, për shkak të atyre që janë konsideruar skandale lidhur me paratë, etikën dhe gjykimin.

Në një raport paraprak këtë muaj, Komiteti parlamentar britanik, ka thënë se të dhënat sugjerojnë se do të duhej të kishte qenë “e qartë” për Johnsonin se organizimet në Qeveri më 2020 dhe 2021 i kanë shkelur rregullat për luftim të pandemisë.

Johnson ka thënë se nuk i është dukur kurë se organizimet  në të cilat ka pasur tortë, verë, djathëra dhe dhurata – i kanë shkelur kufizimet që i ka fuqizuar Qeveria e tij për gjithë shtetin. Ai ka thënë se sinqerisht beson se pesë organizimet në të cilat ka marrë pjesë, kanë qenë takime të ligjshme pune në të cilat ka tentuar të rrisë moralin e punëtorëve që janë përballur me pandeminë vdekjeprurëse.