Blinken takohet me presidentin kinez

Si një përpjekje për të ulur tensionet, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua me presidentin kinez Xi Jinping në ditën e dytë dhe të fundit të vizitës së tij në Pekin.

Të dy shtrënguan duart në Sallën e Madhe të Popullit. Reuters raporton se presidenti kinez gjatë bisedimeve qw zgjatën pak më shumë se gjysmë ore, sipas Departamentit të Shtetit, është shprehur se SHBA-ja do të japë kontribute më pozitive në stabilizimin e marrëdhënieve Kinë-SHBA gjithmonë në respektin dhe sinqeritetin reciprok.

Më parë, Blinken zhvilloi diskutime të gjera me kryediplomatin kinez Vang I dhe ministrin e jashtëm Çin Gang.  Nga bisedimet me zyrtarët e lartë ka patur pak përparim konkret në mosmarrëveshjet të cilat përfshinin Tajvanin, tregtinë, të drejtat e njeriut si dhe mbi pikëpamjet e tyre të ndryshme në lidhje me luftën në Ukrainë.

ANTONY BLINKEN SEKRETARI AMERIKAN: Unë ngrita shqetësimet e SHBA-së, për veprimet provokuese të Kinës në ngushticën e Tajvanit, si dhe në detet e Kinës Jugore dhe Lindore. Në Tajvan, unë përsërita politikën e kahershme të SHBA-së një Kinë. Kjo politikë nuk ka ndryshuar.

Palët theksuan dëshirën për të stabilizuar lidhjet dypalëshe. Marrëdhëniet mes Pekinit dhe SHBA-së janë përkeqësuar për ishullin e vetëqeverisur të Tajvanit i cili shihet si një ndër çështjet më të rëndësishme dhe potencialisht të rrezikshme.

Zyrtarët amerikanë kanë minimizuar mundësinë e një përparimi të madh në bisedime, por analistët presin që vizita e Blinken do të hapë rrugën për më shumë takime dypalëshe në muajt e ardhshëm. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken është kryediplomati i parë amerikan që viziton Kinën që nga viti 2018. Në shkurt, linken anuloi udhëtimin e tij në Pekin pasi një balonë spiune kineze hyri në hapësirën ajrore të SHBA-së.