Policia italiane arrestoi tre persona të dyshuar për trafikim njerëzish pas vdekjes së të paktën 64 emigrantëve në një anije të mbytur në brigjet jugore të dielën. Tre të arrestuarit janë një turk dhe dy shtetas pakistanezë. Shumica e atyre në anijen prej druri, që mendohet se transportonte rreth 200 vetë, mendohet se ishin nga Afganistani, Pakistani, Somalia, Siria, Iraku dhe Irani.
Zyrtarët kanë paralajmëruar se bilanci përfundimtar i viktimave mund të rritet në mbi 100. Ekipet e shpëtimit nxorën mëngjesin e së martës nga deti një tjetër trup, atë të një burri. Tre personat e arrestuar thuhet se lundruan me varkë nga Izmiri në Turqi drejt Kalabrisë, pavarësisht kushteve të këqija atmosferike. Policia thotë se ata dyshohet se u kanë kërkuar emigrantëve rreth 8,000 euro secili për të bërë udhëtimin e gjatë.
Raportohet se anija u mbyt pasi u përplas me shkëmbinj në det të trazuar ndërsa përpiqej të ankorohej ulej pranë Crotone-s. Roja bregdetare italiane tha se 80 vetë u gjetën të gjallë, “përfshirë disa që arritën të dilnin në breg pas fundosjes”.
Arkivolet e viktimave të gjetura deri më tani janë vendosur në një sallë sportive në Crotone, arkivole të vogla të bardha për viktimat e mitur dhe kafe për të rriturit. Të paktën 12 fëmijë duke përfshirë një foshnjë janë në mesin e viktimave.
Familjarët e viktimave që jetojnë në Evropën veriore kanë mbërritur në përpjekje për të marrë lajme për të afërmit e tyre dhe për të identifikuar trupat aty ku është e nevojshme.