Biden viziton kufirin e SHBA-Meksikë ,“Këtu jemi grabitur dhe keqtrajtuar”

Presidenti Joe Biden takoi homologun e tij meksikan Andrés Manuel Lopez Obrador dhe kryeministrin kanadez Justin Trudeau në  Mexico City. Temat kryesore në axhendën e këtij takimi ishin tregtia, ndryshimet klimatike  dhe migrimi.

Presidenti vizitoi të dielën kufirin SHBA-Meksikë për të parë nga afër sigurinë kufitare. Në udhëtimin e tij të parë në kufi si president, Biden inspektoi një pikëkalimi të ngarkuar dhe eci me oficerët e patrullës kufitare përgjatë murit që ndan Shtetet e Bashkuara nga Meksika.

Presidenti vizitoi edhe një qendër emigrantësh, por ky ishte vendi më i afërt me një pikë ku rreth 400 emigrantë janë strehuar në trotuaret pranë një kishe në El Paso të Teksasit.

“Kam dy fëmijë. Dua t’u siguroj atyre një jetë më të mirë. Nuk dua që ata të kalojnë atë që kam kaluar unë. Këtu jemi grabitur dhe keqtrajtuar. Nuk ka të drejta njerëzore për ne këtu”, thotë Geremy Mejia, emigrante nga Venezuela.

Vizita e zotit Biden në kufirin SHBA-Meksikë vjen pas njoftimit të administratës së tij për një proces të ri për hyrjen e ligjshme të emigrantëve nga Nikaragua, Kuba, Venezuela dhe Haiti.

Qeveria ndryshoi gjithashtu politikën e deritanishme duke lejuar largimin e menjëhershëm në Meksikë të migrantëve nga këto katër vende që hynë në Shtetet e Bashkuara pa leje.

 

“Nga sot e tutje qytetarët nga Venezuela, Nikaragua, Kuba dhe Haiti që përpiqen të kalojnë kufirin tonë pa leje, do të dëbohen me shpejtësi në Meksikë, e cila do të pranojë kthimin e 30,000 individëve në muaj që nuk kanë përdorur rrugë të ligjshme. Në të njëjtën kohë, ne do të mirëpresim deri në 30,000 individë në muaj nga këto katër vende që të vijnë të sigurt për të jetuar dhe punuar këtu për dy vjet”, tha sekretari i Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas.

Sipas programit të ri, emigrantët nga këto katër vende duhet të aplikojnë online, të gjejnë një sponsor financiar dhe të kalojnë kontrollet e sigurisë për një shans për të jetuar përkohësisht në SHBA. Ata që janë tashmë në kufi kanë frikë se mos ndalohen nga oficerët e Patrullës Kufitare.

“Ne nuk mund të kalojmë rrugën sepse oficerët e imigracionit mund të na ndalojnë” thotë emigrantja nga Venezuela, Geremy Mejia.

Republikanët vazhdojnë të kritikojnë qasjen e presidentit Biden për sigurinë kufitare. Guvernatori i Teksasit Greg Abbott i dha presidentit një letër me rekomandime për sigurinë kufitare.

“Kjo vizitë nuk është gjë tjetër veçse për shfaqje, nëse ai nuk fillon të zbatojë ligjet e imigracionit që ekzistojnë tashmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat janë të përfshira në letrën që i dhashë sot presidentit”.

Të tjerë besojnë se politikat e reja janë shumë të ashpra dhe janë në kundërshtim me ligjet aktuale të azilit.

Zyrtarët qeveritarë thonë se masat e reja kufitare nuk janë një ndalim i kërkesave për azil sepse ka ende një mënyrë që azilkërkuesit të kërkojnë ndihmë në pikat e hyrjes.

Sipas zyrtarëve të  qeverisë  azilkërkuesit kanë  dhe mundësi të tjera për pikat e hyrjes.

Check Also

Barcelona në alarm të kuq për shkak të stuhisë, përmbytet aeroporti

Stuhitë e forta që shkaktuan përmbytje vdekjeprurëse në Spanjën lindore javën e kaluar tani po …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *