Biden shpall kandidaturën javën e ardhshme

Presidenti amerikan, Joe Biden, do të mund të shpallë shumë shpejt kandidaturën e tij për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, kanë raportuar disa media amerikane. Disa ndihmës të paidentifikuar presidentit, u kanë thënë gazetave amerikane, Washington Post dhe New York Times, se Biden mund të njoftojë për diçka të tillë, brenda ditësh.

Si shenjë tjetër se ka plane për fushatë, Biden i ka ftuar donatorët e fushatave në Uashington, në fund të javës së ardhshme, kanë raportuar mediat. Demokrati Biden e ka përsëritur disa herë se synon një mandat të dytë si president. Deri në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, më 2024, Biden do të jetë 81-vjeçar, ndërsa nëse fiton mandatin e dytë, atë do ta nisë si 82-vjeçar.

Mirëpo, nëse Biden e shpall zyrtarisht kandidaturën, ai mund të përballet me garë të lehtë në mesin e demokratëve, për ta fituar nominimin e partisë. Edhe ish-presidenti amerikan, Donald Trump, e ka shpallur kandidaturën për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, pavarësisht se ai është duke u përballur me disa raste civile dhe penale nëpër gjykata.