Biden dhe Erdogan bisedojnë për anëtarësimin e Suedisë në NATO

Presidenti amerikan Joe Biden dhe Presidenti turk Tajip Erdogan zhvilluan një bisedë telefonike lidhur me aspiratat e Suedisë për anëtarësim në NATO. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby tha në një konference shtypi se nuk do të habitej nëse çështja e blerjes nga Turqia të avionëve luftarakë të modelit F-16 të ishte diskutuar gjatë telefonatës së dy udhëheqësve.

“Ata folën për anëtarësimin e Suedisë në NATO”, tha ai. “Sigurisht që nuk do të habitesha fare nëse është ngritur çështja se ne vazhdojmë të mbështesim një program për modernizimin e avionëve të tyre të modelit F-16”.

Shtëpia e Bardhë tha se udhëheqësit folën mbi rëndësinë e anëtarësimit të Suedisë në NATO sa më shpejt që të jetë e mundur dhe për të rritur më tej ndërveprimin e Turqisë me NATO-n. Sipas njoftimit për shtyp, Biden kishte vlerësuar hapat e fundit konstruktivë për të përmirësuar marrëdhëniet mes Turqisë dhe Greqisë. Presidenti Biden, tha Shtëpia e Bardhë, përsëriti mbështetjen e tij për të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur ndërsa theksoi nevojën për një horizont politik për popullin palestinez.