Betohet Kyriakos Mitsotakis si kryeministër edhe për katër vite të ardhshme
Betimi i Kyriakos Mitsotakis si Kryeministër i Greqisë përfundoi pak pas orës 13:00 në Pallatin Presidencial, ceremoni e zhvilluar në prani të presidentes Katerina Sakellaropoulou dhe Kryepeshkopit Hieronymos. Para betimit, Mitsotaqis e cilësoi rizgjedhjen e tij në postin e kryeministrit një “nder të veçantë” dhe u zotua të vijojë me zbatimin e reformave.
KYRIAKOS MITSOTAKIS – KRYEMINISTER I GREQISË:“Qytetarët grekë kanë të drejtë të presin një të ardhme më të mirë për veten, për familjet dhe për vendin e tyre në tërësi. Unë jam i përkushtuar për të bërë ndryshime të thella dhe reforma të mëdha në mandatin e dytë katërvjeçar, për të cilat vendi ka nevojë. Gjatë këtij mandati ne do ‘ti realizojmë këto ndryshime.Ne kemi një parlament me tetë parti, por besoj se Republika jonë është shumë e aftë për të përballuar çdo tronditje.
Menjëherë pas betimit, zoti Mitsotakis shkoi në Pallatin Maksimos, selia e qeverisë, ku do të nisë zyrtarisht mandatin e ri. Aty ai u prit nga kryeministri në detyrë Ioannis Sarmas për ceremoninë e dorëzimit të detyrës. Ata biseduan shkurtimisht dhe Mitsotakis falënderoi zotin Samas për qeverisjen e përkohshme.
Partia Demokracia e Re e qendrës së djathtë fitoi 40.5% të votave dhe 158 vende në parlamentin me 300 vende, mbi 20 pikë më shumë se Syriza e majtë. 55-vjepari Mitsotakis, një ish-bankier dhe pasardhës i një familjeje të fuqishme politike, ka premtuar të rrisë të ardhurat nga industria jetike e turizmit, të krijojë vende pune dhe të rrisë pagat afër mesatares së Bashkimit Europian.
Në parlament hynë dhe tre parti të ekstremit të djathtë duke përfshirë ‘Spartanët’, një forcë politike e cila fitoi 4.7% të votave në zgjedhjet e së dielës dhe 13 mandate deputetësh.Fitorja e siguruar nga Mitsotakis është një gjë e rrallë në politikën greke, pasi pak parti kanë pasur këtë sukses pas mandatit të parë. Megjithatë, pjesëmarrja në votime ka qenë e ulët, 47.18% e qytetarëve kanë zgjedhur të qëndrojnë larg kutive të votimit.