BE: Tërheqja e plotë e forcave ruse nga Ukraina, kusht për heqjen e sanksioneve ndaj Moskës

Bashkimi Evropian ka bërë të qartë se tërheqja e pakushtëzuar e të gjitha forcave ruse nga territori i Ukrainës mbetet një nga kushtet kryesore për rishikimin ose heqjen e sanksioneve ndaj Moskës. Këtë e deklaroi të mërkurën një zëdhënës i Komisionit Evropian.

Në fund të janarit dhe fillim të marsit, vendet e BE-së vendosën të zgjasin për gjashtë muaj të tjera dy kornizat e sanksioneve ndaj Rusisë. Për çdo ndryshim në këto masa ndëshkuese kërkohet dakordësia e të gjitha 27 shteteve anëtare.

“Përfundimi i agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar rus në Ukrainë dhe tërheqja e pakushtëzuar e të gjitha forcave ushtarake ruse nga tërë territori i Ukrainës do të ishte njëri nga parakushtet kryesore për amendamentimin ose heqjen e sanksioneve”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian.

Ndërkohë, SHBA ka arritur marrëveshje të ndara me Ukrainën dhe Rusinë për pezullimin e sulmeve në det dhe ndaj caqeve energjetike. Në këmbim, Uashingtoni ka pranuar të shtyjë përpara heqjen e disa sanksioneve ndaj Moskës.

Rusia pretendon se SHBA është pajtuar për heqjen e një sërë sanksionesh që prekin eksportet e ushqimeve, plehrave kimike dhe kompanive të transportit detar. Megjithatë, diplomatët e BE-së thonë se shumica e kufizimeve të kërkuara nga Kremlini janë të lidhura me sanksionet evropiane, të cilat mbeten të pandryshuara.