BE raund i ri sanksionesh ndaj Rusisë
Brukseli i ka propozuar shteteve anëtare të Bashkimit Evropian raundin e 11 të sanksioneve lidhur me luftën e Rusisë kundër Ukrainës, sanksione që synojnë të parandalojnë shmangien e ndëshkimeve paraprake.
“Kjo paketë do të përqendrohet në zbatimin e sanksioneve, efektivitetin e tyre dhe si të parandalohet shmangia e sanksioneve”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer.
Pjesë e paketës së sanksioneve që KE-ja ka propozuar synojnë ndaljen e eksporteve të teknologjisë së ndjeshme të tetë kompanive kineze, nën dyshimet se këto kompani po shesin teknologji të tillë në Rusi, raporton AFP, që ka parë një dokument të paketës së re të sanksioneve. Të 27 shtetet e bllokut evropian kanë goditur Moskën me sanksione të paprecedentë që kur presidenti rus, Vladimir Putin, nisi pushtimin e Ukrainës shkurtin e vitit të kaluar.