BE miraton marrëveshjen për dërgimin e municioneve shtesë në Ukrainë
Udhëheqësit e BE-së miratuan një marrëveshje që synon t’i dërgojë Ukrainës 1 milion predha artilerie brenda 12 muajve të ardhshëm, për të ndihmuar vendin të mbrohet kundër forcave ruse.
Procedura e shpejtë u miratua gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes në fillim të kësaj jave dhe krerët e mbledhur në një samit në Brukseltë enjten do t’i japin asaj një bekim politik, sipas disa diplomatëve të lartë të BE-së.
Me Ukrainën që po përballet me mungesë municionesh për të luftuar Rusinë, ideja e krijimit të një plani veprimi të përbashkët blerjeje, të ngjashëm me atë të krijuar gjatë pandemisë për të blerë vaksina, u soll për herë të parë në tryezë muajin e kaluar nga kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas.
Nga 27 vendet të BE-së, Hungaria është e vetmja që ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në furnizimin me municion për Ukrainën, duke përmendur angazhimin e saj për paqen, por tha se nuk do t’i pengojë anëtarët e tjerë ta bëjnë një gjë të tillë. Muajin e kaluar, kryeministri i Hungarisë Viktor Orban tha se blloku është pjesërisht fajtor për zgjatjen e luftës së Rusisë në Ukrainë, për shkak të sanksioneve që i kanë vënë Rusisë dhe duke furnizuar Ukrainën me para dhe armë, në vend që të kërkojë të negociojë paqen me Moskën.