Banka e madhe zvicriane Credit Suisse po përballet me largim masiv të kapitalit

Klientët e Credit Suisse po tërheqin masivisht paratë e tyre nga kjo bankë zviceriane, pas problemeve që e çuan këtë bankë në prag falimenti. Siç rezulton nga shifrat e publikuara nga vetë kjo bankë, vetëm gjatë 3 muajve të parë të këtij viti u tërhoqën afro 69 miliardë dollarë. Kjo bëri që vlera e përgjithshme të aseteve të kësaj banke të reduktohet në 565 miliardë dollarë, 29% më pak se e njejta periudhë e vitit të kaluar.

Ekspertët thonë se klientët janë përfshirë nga paniku, teksa procesi i kalimit të proniësisë së Credit Suisse tek banka tjetër e madhe zviceriane UBS është në fazat përfundimtare. Ekziston frika se pavarësisht shitjes, banka do të falimentojë dhe ata do të humbin paratë e depozituara.

Megjithatë, qeveria zviceriane i oftoi kësaj banke një paketë shpëtimi prej 225 miliardë dollarësh, muajin e kaluar, si garanci për depozitat e saj. Paketa e shpëtimit ishte pjesë e marrëveshjes që nxiti bankën UBS të blinte Credit Suisse me reputacion të dëmtuar prej skandaleve të korrupsionit.