Aventurë për Cristiano Ronaldon! Arrestohet kapiteni i jahtit pasi …
Pushimet luksoze të Cristiano Ronaldos në Greqi u ndërprenë nga një incident i pazakontë në portin e Agia Kyriaki.
Jahti i tij shkaktoi panik dhe dëme materiale. Kapiteni i anijes u arrestua nga autoritetet detare greke, i akuzuar për shkelje të rëndë të rregullave të sigurisë detare.
Ngjarja ndodhi pasditen e së enjtes, më 10 korrik, kur superjahti “Anniko II”, në pronësi të yllit të njohur portugez, hyri me shpejtësi të lartë në portin piktoresk të Agia Kyriaki në Magnesia. Si pasojë e dallgëve të fuqishme të krijuara nga lundrimi me rreth 30 nyje afër bregut, katër anije të vogla që ndodheshin të ankoruara u përplasën mes tyre dhe me skelën, duke pësuar dëme materiale.
Autoriteti Portual i Agia Kyriaki reagoi menjëherë, duke ndaluar largimin e mjeteve lundruese të dëmtuara deri në verifikimin e lundrueshmërisë së tyre nga shoqëritë përkatëse të klasifikimit. Për fat të mirë, nuk pati të lënduar dhe nuk u shënua ndotje detare.
Kapiteni i jahtit u arrestua për shkelje të nenit 291 të Kodit Penal grek, që lidhet me “prishjen e sigurisë së anijeve dhe mjeteve të transportit ajror apo hekurudhor”. Sipas dëshmitarëve okularë, ai u largua menjëherë pas incidentit, me drejtim nga Sporadet Veriore.
Ndërkohë, pronarë të anijeve të dëmtuara dhe banorë lokalë kanë paralajmëruar veprime ligjore kundër kapitenit. Manolis Giamarelos, një biznesmen lokal dhe pronar i një taverne në port, e quajti incidentin një “shfaqje të papërgjegjshmërisë së kapitenit”, duke theksuar se ngjarje të tilla kërcënojnë jetesën e banorëve që varen nga turizmi detar.
“Jahti ndaloi vetëm 100 metra nga bregu, duke shkaktuar valë të fuqishme që përplasën anijet mes tyre. Ishte një moment paniku dhe mund të kishte pasoja të rënda,” deklaroi ai për magnesianews.gr, duke shtuar se përpjekjet për të krijuar një infrastrukturë portuale funksionale në zonë kanë mbetur pezull prej vitesh.
Cristiano Ronaldo, i cili pritet të rikthehet së shpejti në Arabinë Saudite për të nisur përgatitjet me Al Nassr, nuk ka reaguar ende publikisht për incidentin.
Video e ngjarjes është bërë virale në rrjetet sociale, ndërsa autoritetet greke po vazhdojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje që trazoi brigjet e qeta të Agia Kyriaki-t.