Astronauti më i vjetër amerikan kthehet në Tokë në ditëlindjen e 70-të
Astronauti më i vjetër aktiv i SHBA-së, Donald Pettit, është rikthyer në Tokë të dielën në ditëlindjen e tij të 70-të, pas një misioni shtatëmujor në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS). Kthimi u realizua përmes kapsulës hapësinore ruse Soyuz MS-26, e cila u ul me parashutë në stepën e Kazakistanit në orën 06:20 me kohën lokale, së bashku me dy kozmonautët rusë, Alexey Ovchinin dhe Ivan Vagner.
Misioni nisi më 11 shtator 2024 dhe kishte një fokus shkencor, përfshirë eksperimente mbi ndikimin e qëndrimit afatgjatë në hapësirë në trupin e njeriut dhe teknologji të reja për jetesën orbitale. Për Pettit, ky ishte misioni i katërt dhe e çon në 590 ditë kohën totale të kaluar në hapësirë gjatë karrierës së tij në NASA.
Megjithëse konsiderohet astronauti më i vjetër aktiv i Amerikës, ai nuk mban rekordin për personin më të moshuar që ka fluturuar në orbitë. Ky rekord i takon legjendës së NASA-s John Glenn, i cili në vitin 1998, në moshën 77-vjeçare, u kthye në hapësirë si pjesë e një misioni kërkimor. Glenn ndërroi jetë në vitin 2016.
Pas kthimit në Tokë, tre anëtarët e ekuipazhit do të kalojnë disa ditë duke u përshtatur me gravitetin. Më pas, Donald Pettit do të udhëtojë drejt Hjustonit në Teksas, ndërsa Ovchinin dhe Vagner do të kthehen në Zvyozdniy Gorodok (Star City), baza kryesore e stërvitjes hapësinore të Rusisë afër Moskës.