Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kërkon me shumicë dërrmuese armëpushim në Gazë, ja si ka votuar Shqipëria

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi me shumicë dërrmuese të martën për të kërkuar një armëpushim humanitar në Gazë, në një tregues të fuqishëm të mbështetjes globale për përfundimin e luftës Izrael-Hamas. Votimi në organizatën botërore me 193 anëtarë ishte 153 pro armëpushimit, 10 kundër dhe 23 abstenime. Mes vendeve që kërkuar armëpushim është edhe Shqipëria. Përveç Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, tetë vende të tjera e kundërshtuan rezolutën: Austria, Çekia, Guatemala, Liberia, Mikronezia, Nauru, Papua Guinea e Re dhe Paraguaj.

Mbështetja për një rezolutë për armëpushim ishte më e lartë sesa ajo për një rezolutë më 27 tetor që bënte thirrje për një “armëpushim humanitar” ku votimi ishte 120-14 me 45 abstenime. Pasi Shtetet e Bashkuara vendosën veton ndaj një rezolute në Këshillin e Sigurimit të premten ku kërkohej një armëpushim humanitar, vendet arabe dhe myslimane kërkuan një seancë urgjente të Asamblesë së Përgjithshme prej 193 anëtarësh për të votuar për një rezolutë ku kërkohet e njëjta gjë.