Dy shtetas amerikanë janë arrestuar nën akuzat se eksportuan në mënyrë të paligjshme teknologji të lidhur me aviacionin në Rusi dhe ofruan shërbime riparimi për pajisjet ruse, ka bërë të ditur Departamenti i Drejtësisë se Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Cyril Gregory Buyanovsky dhe Douglas Robertson akuzohen për komplot, eksportim të mallrave pa licencë, falsifikim, dhe dështim për të paraqitur informacione elektronike për eksportin dhe kontrabandën e mallrave në kundërshtim me ligjin e SHBA-ve.
Aktakuza thotë se që nga viti 2020, ata komplotuan të shmangin ligjet e eksportit në SHBA duke fshehur përdoruesit dhe destinacionet e eksporteve. Ata përballen deri në 35 vjet burg nëse dënohen.
Që nga përvjetori i pushtimit rus të Ukrainës, zyrtarët e SHBA-së kanë thënë se ata do të rrisin sanksionet ndaj njerëzve dhe subjekteve që ndihmojnë Rusinë në sigurimin e armëve dhe teknologjisë që do të forconin ushtrinë e saj.