Arrestimi i kryebashkiakut të Stambollit, Von der Leyen: Thellësisht shqetësuese, Turqia të respektojë parimet demokratike
Arrestimi i kryebashkiakut të Stambollit, Dora Bakojanis thirrje Erdoganit: Lirojeni, është shkelje e hapur e demokracisë
Arrestimi i kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem İmamoğlu, ka shkaktuar reagime të ashpra në arenën ndërkombëtare. Deputetja greke Dora Bakojanis e ka cilësuar këtë veprim si një “shkelje flagrante të parimeve demokratike” dhe i ka bërë thirrje qeverisë turke që ta lirojë menjëherë.
Përmes një postimi në Facebook, Bakojanis njoftoi se ka paraqitur një kërkesë për debat urgjent në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës për të hetuar rastin dhe shkeljen sistematike të lirive politike në Turqi.
“Arrestimi i Ekrem İmamoğlu është një shkelje flagrante e parimeve demokratike dhe minon sundimin e ligjit në Turqi. Spastrimi politik i kundërshtarëve përmes gjyqësorit, shtypja e protestave dhe censura e mediave sociale konfirmojnë rrëshqitjen autoritare të qeverisë turke”, shkroi ajo.
BE e shqetësuar, Von der Leyen: Turqia duhet të respektojë parimet demokratike
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin e tij për situatën e krijuar në Turqi pas arrestimit të İmamoğlu. Gjatë një konference për shtyp në Bruksel, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cilësoi këtë veprim si “thellësisht shqetësues” dhe theksoi se Turqia, si vend kandidat për anëtarësim në BE, duhet të respektojë vlerat demokratike.
“Si një anëtare e Këshillit të Evropës dhe një kandidate për anëtarësim në BE, Turqia duhet të mbështesë vlerat demokratike, veçanërisht të drejtat e zyrtarëve të zgjedhur. Ne duam që Turqia të mbetet e përkushtuar ndaj Evropës, por kjo kërkon një angazhim të qartë ndaj rregullave dhe praktikave demokratike”, tha Von der Leyen.
Arrestimi i kryebashkiakut të Stambollit ka ngjallur debate të ashpra brenda dhe jashtë Turqisë, duke shtuar presionin mbi qeverinë e presidentit Recep Tayyip Erdoğan për respektimin e të drejtave demokratike dhe lirive politike.