Armëpushimi dështoi! Izraeli sulmon Gazën, mbi 300 viktima nga bombardimet

Pas dy muajsh qetësi relative, luftimet në Rripin e Gazës kanë rifilluar me intensitet të lartë. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ministri i mbrojtjes, Yisrael Katz, urdhëruan ushtrinë të ndërmarrë sulme të forta kundër Hamasit, duke e akuzuar grupin për refuzimin e vazhdueshëm të lirimit të pengjeve dhe mospranimin e propozimeve të ndërmjetësuara nga SHBA dhe vende të tjera.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila kontrollohet nga Hamasi, të paktën 322 palestinezë janë vrarë deri tani nga sulmet ajrore izraelite. Kjo është vala më e madhe e bombardimeve që nga shpallja e armëpushimit më 19 janar.

Ushtria izraelite konfirmoi se po kryen një ofensivë të gjerë, ndërsa zyra e kryeministrit Netanyahu deklaroi se Izraeli do të vazhdojë të veprojë me “fuqi ushtarake në rritje” kundër Hamasit.

Ndër viktimat raportohet të jetë edhe Mahmoud Abu Wafah, një nga zyrtarët më të lartë të sigurisë së Hamasit në Gaza.

Nga ana tjetër, Hamasi ka akuzuar Izraelin për shkeljen e armëpushimit, duke e konsideruar sulmin si një përshkallëzim të qëllimshëm të konfliktit.