Anija italiane që transportonte ndihma për Gazën sulmohet nga dronë pranë Maltës, akuzohet Izraeli
Një incident i rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së premtes në ujërat ndërkombëtare pranë Maltës, ku një anije italiane që transportonte ndihma humanitare për Gazën është sulmuar nga dronë të armatosur dhe ka dalë jashtë funksionit.
Lajmi është konfirmuar nga organizatorët e misionit Freedom Flotilla, të cilët kanë deklaruar se anija me emrin Conscience, që mbante në bord aktivistë dhe ndihma, u godit dy herë nga dronë në pjesën e përparme të saj. Sipas njoftimit zyrtar, sulmi ndodhi në orën 00:23 sipas kohës lokale dhe shkaktoi zjarr dhe dëmtime serioze në trupin e anijes, veçanërisht në gjeneratorin kryesor.
Grupi organizator ka akuzuar shtetin e Izraelit për këtë sulm, duke e cilësuar një akt të qëllimshëm ndaj një mjeti civil humanitar. Pas goditjes, anija mbeti pa energji elektrike, duke vënë në rrezik jetën e aktivistëve në bord dhe duke rritur mundësinë e mbytjes në det të hapur.