Analiza e DW: Gjermania e pasur, njerëz të varfër

Të parët kanë ardhur gjysmë ore më herët. Çdo të mërkurë të pastrehët mund të hanë, pinë, të ngrohen dhe të përdorin tualetin në hapësirat e kishës së komunitetit Tabor në Berlin. Së shpejti do t’u ofrohet edhe një vakt me gjellë të ngrohtë. Akoma ndjehet se një natë më parë këtu kanë fjetur shumë njerëz. Prej 30 vjetësh kisha ofron një herë në javë vende fjetjeje për të pastrehët. Rreth dyzet vetë e kalojnë natën në paradhomën e kishës. Ndonjëherë bëhen gjashtëdhjetë. Atyre u jepet diçka për të ngrënë. Dhe dy mjekë vullnetarë kujdesen për plagët ose sëmundjet.

Sabine Albrecht është pastore e bashkësisë Tabor. “Këtu vijnë edhe ata që bien nga shkallët e shoqërisë. Për disa gjendja është shumë e mjerueshme”, thotë ajo. Ata që vijnë për të fjetur, janë të ndryshëm nga ata që vijnë në kafene të mërkurën, thotë priftëresha. Shumë vijnë nga Evropa Lindore, disa madje kanë punuar – në kushte të pasigurta pune. Disa kanë probleme varësie, përvoja dhune, sëmundje psiqike. Albrecht tregon për një burrë që “fle këtu prej njëzet vjetësh.” 59-vjeçarja madje edhe i ka varrosur dy nga të ftuarit, siç i quan ajo.

Si mund të përballohet kaq shumë mjerim? “Sindroma e ndihmës nuk të ndihmon. Nevojitet të jesh e fortë dhe gjërat nuk duhen marrë personalisht”, thotë Albrecht. Fjala është që të jesh në gjendje të përballesh edhe me njerëz agresivë dhe të ashpër. Për këtë nevojiten njerëz si Margot Moser, e cila ka ndihmuar që në fillim në organizimin e qëndrimeve për të pastrehët gjatë natës. Së bashku me njëzet ndihmës të tjerë 79-vjeçarja ndihmon edhe sot në mënyrë aktive. Ndoshta ngaqë asaj gjithmonë i është dashur t`ia dalë me pak para, dëshiron të ndihmojë. Megjithatë ajo nuk ka iluzione. “Disa e kanë pësuar nga budallallëku: Ata bashkëjetojnë me dikë, heqin dorë nga banesa e tyre, pastaj ndahen – dhe ngelen në rrugë,” thotë ndihmësja e bashkësisë. Dhe kush humbet sot banesën, nuk mund të gjejë aq shpejt një të re.

Shumë të pastrehë nuk janë të përfshirë në statistika.
“Mungesa e strehës është një problem serioz social”, thotë për DW, Werena Rosenke, drejtoreshë menaxhuese e Shoqatës Federale për Ndihmën e të Pastrehëve (BAGW). Për Rosenke arsyeja kryesore është, se ka shumë pak hapësirë banimi, që është e përballueshme financiarisht.