Analistët: Rusia nuk po arrin të prodhojë më armë të reja

 

Rusia po përballet me vështirësi të mëdha në prodhimin e armëve të reja, për shkak të sanksioneve të ashpra perëndimore, si ndëshkim për sulmin në Ukrainë. Megjithatë, në depot e armatimit të ushtrisë ruse ka mjaftueshëm armatime të vjetra, shumica dërrmuese e periudhës sovjetike, për të zgjatur konfliktin.

Në këtë përfundim arrin një analizë e Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike në Shtetet e Bashkuara, që konstaton se humbjet që ka pësuar ushtria ruse gjatë më shumë se një viti konflikti në Ukrainë janë të mëdha. Deri më tani numërohen të paktën 10 mijë pajisje të rëndësishme ushtarake që iu janë shkatërruar rusëve në këtë konflikt. Studimi përllogarit nga 1800 deri në 3500 tanke ruse të shkatërruara.

Shumica e tyre janë tanke të teknologjisë së viteve të fundit. Dëme ka pasur edhe në kamionë ushtrie, pajisje artilerie dhe dronë. Problem, sipas analizës është se Rusia deri para luftës varej në masën 55% nga pjesët përbërëse të prodhuara në perëndim, për prodhimin e armatimeve të reja, të cilat nuk i merr më që pas vendosjes së sanksioneve.