Aksident ajror në Francë! Dy avionë luftarakë përplasen në ajër gjatë një prove demonstrative

Një aksident ajror ka ndodhur në Francë, ku dy avionë luftarakë Alpha Jet janë përplasur në ajër gjatë një prove demonstrative. Lajmi është konfirmuar nga ministri i Forcave të Armatosura, Sebastien Lecornu.

Sipas Forcave Ajrore Franceze, përplasja ndodhi pranë bazës ajrore Saint-Dizier 113. Fatmirësisht, dy pilotët dhe një pasagjer kanë arritur të mbijetojnë dhe janë gjetur të vetëdijshëm, ndonëse me lëndime. Njëri prej tyre është raportuar se ka pësuar dëmtime të shumta.

Raportohet se njëri nga avionët është përplasur me një kapanon, duke shkaktuar zjarr. Ekipet e emergjencës janë mobilizuar menjëherë në vendngjarje, ndërsa autoritetet po koordinojnë veprimet mes Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Forcave të Armatosura.

Ministri Lecornu ka deklaruar në një postim në X se po merren të gjitha masat për menaxhimin e situatës dhe hetimin e shkaqeve të aksidentit.