Afganistani, regjimi më represiv në botë

Sipas një deklarate të publikuar nga misioni i OKB-së në Afganistan më 8 mars, për nder të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, talibanët ushtrojnë regjimin më represiv për gratë në botë. Misioni i OKB-së u kërkoi udhëheqësve të Afganistanit të heqin kufizimet e ashpra që ata kanë vendosur ndaj popullatës së gjinisë femërore të vendit që nga rifitimi i pushtetit.

Pas tërheqjes së trupave amerikane dhe të NATO-s në gusht të vitit 2021, kur grupi radikal islamik mori përsëri kontrollin e kombit të shkatërruar nga lufta, fillimisht ky grup kishte premtuar se do të mbështeste të drejtat e minoriteteve dhe të grave.

Megjithatë, talibanët kanë vendosur një qëndrim të ashpër, duke shtypur më tej të drejtat e grave dhe duke kufizuar liritë, madje edhe ndalimin e arsimimit të vajzave pas klasës së gjashtë. Gratë janë shumë të kufizuara kur bëhet fjalë për të udhëtuar dhe punuar jashtë shtëpisë. Ato janë të detyruara të mbajnë mbulesë në publik, si dhe u ndalohet të punojnë për OJQ-të vendase dhe ndërkombëtare.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), e cila publikoi raportin e saj më 7 mars, shkalla e punësimit për gratë afgane ka rënë për 25 për qind që kur talibanët rimorën pushtetin.

Sipas organizatave të ndihmës dhe grupeve humanitare, më shumë se gjysma e 38 milionë banorëve të Afganistanit vuajnë nga uria, ku fëmijët janë më të rrezikuar nga mungesa e ushqimit bazë për ta.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Kombet e Bashkuara në Afganistan po përsërisin thirrjen e tyre ndaj autoriteteve de facto të vendit për të larguar kufizimet e ashpra mbi të drejtat themelore të grave dhe vajzave”, tha UNAMA në deklaratën e publikuar. “Të drejtat e grave dhe vajzave duhet të rikthehen menjëherë në mënyrë që të ndërtohet një Afganistan gjithëpërfshirës, paqësor dhe shpresëdhënës”, u thuhet tutje në deklaratë.